English

Meta: Ekstremistët po helmojnë marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Tiranë, 31 Janar NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e shelfit kontinental midis Shqipërisë dhe Greqisë. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, z. Meta u shpreh se maxhoranca respekton vendimin dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe se Qeveria do të paraqesë argumentet e saj, atëherë kur arsyet e këtij vendimi të zbardhen, për transparencë ndaj opinionit publik.

Gjithashtu, z. Meta theksoi se pavarësisht disa grupeve ekstremiste që mundohen të helmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve e dy popujve, Greqia mbetet një nga mbështetëset kryesore të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të liberalizimit të vizave për shqiptarët. Z. Meta shtoi se përcaktimi i kufijve detarë, si me Greqinë, ashtu edhe me Malin e Zi, është një prioritet për Qeverinë shqiptare.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar para disa ditësh marrëveshjen e detit me Greqinë, dhe besoj se ka qenë edhe pjesë e takimeve tuaja me Ministrin grek Droucas. Në kohën kur ajo u kundërshtua nga disa media dhe opozita, ju deklaruat se grupe ekstremiste po dilnin kundër kësaj marrëveshjeje. Çfarë ndodhi z. Meta? Këto grupe ekstremiste patën ndikimin e tyre edhe në Gjykatën Kushtetuese, apo vërtet jeni të bindur se ka patur probleme kjo marrëveshje?

Duhet të ndajmë dy elementë. Duhet të ndajmë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka autoritet dhe sovranitet të plotë për të marrë vendime për çdo çështje, përfshirë edhe këtë çështje. Dhe ju e keni parë që ne që nga fillimi i shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, kemi ndërprerë çdo lloj sqarimi, qoftë edhe publik, duke e përqendruar vëmendjen në Gjykatën Kushtetuese. Dhe Gjykata ka të drejtë ta marrë vendimin ashtu si ajo ta shohë të arsyeshme. Dhe ne absolutisht që jemi të detyruar ta respektojmë, dhe do ta respektojmë vendimin e kësaj Gjykate. Ende nuk e dimë cilat kanë qenë arsyet dhe shkaqet, pasi ky vendim ende nuk është bërë publik, ende nuk është zbardhur. Informacionin e kemi marrë nga mediat. E theksoj edhe një herë, që ne do e respektojmë vendimin, cilido qoftë ai, dhe në momentin që ky vendim bëhet publik, padyshim që ne do të bëjmë sqarimet në emër të grupit negociator për të gjitha argumentet ku do të jetë mbështetur Gjykata në dhënien e vendimit, për transparencë ndaj opinionit publik. Pra, vendimi nuk diskutohet.

Por, unë si Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk mund të mbyll sytë dhe nuk mund të hesht kur elementë ekstremistë, e theksoj, në politikën shqiptare, që për fat të mirë janë në pakicë e të izoluar nga shoqëria jonë, përpiqen të helmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe midis dy popujve vazhdimisht, me qëndrime të ndryshme të cilat nuk i shërbejnë askujt, përveç atyre grupeve që kërkojnë t'i kthejnë marrëdhëniet prapa në të kaluarën. Ndërkohë që angazhimi kryesor i Shqipërisë është anëtarësimi e saj në Bashkimin Evropian. Greqia është një nga mbështetësit kryesore të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor për t'u anëtarësuar në BE dhe për liberalizimin e vizave me zonën Shengen. Unë në këtë drejtim nuk mundem dot të hesht. Por vendimi i Gjykatës, siç e kemi thënë që në fillim, është tjetër çështje dhe ne do t'i respektojmë gjithnjë vendimet e gjykatave, edhe atëherë kur na pëlqen, por edhe atëherë kur mund të mos na pëlqejë. Ky është dallimi me përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

A do të kemi një marrëveshje të re?

Përcaktimi i kufijve detarë, si me Greqinë, ashtu edhe me Malin e Zi, është një prioritet, për Qeverinë tonë, pasi së pari është një hap përpara në drejtim të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke qenë se hyn tek çështjet ende të pazgjidhura me vendet fqinje, por edhe sepse i jep mundësi vendit që të shfrytëzojë hapësirat ujore dhe nënujore.

Z. Meta, ka patur ide që në momentin e rinegociimit, ai të bëhet edhe me prezencën e NATO-s, meqë të dy vendet janë anëtarë të saj, dhe për të krijuar besueshmëri më të madhe tek njerëzit.

Nuk mendoj se është koha për të hyrë në nivel teknik, dhe siç e kam thënë edhe më parë, ne do të presim vendimin e Gjykatës, do të lexojmë me vëmendje argumentet e saj, dhe mbi bazën e tyre do të japim sqarimet dhe pa asnjë diskutim që do të shikojmë të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore për të ecur përpara. Çështja e kufirit detar me Italinë është e mbyllur, dhe për ne është një prioritet të mbyllim çështjen edhe me Greqinë, edhe me Malin e Zi. Këto janë prioritete të cilat do t'i çojmë përpara me transparencë të plotë.

Kur flisni për grupe ekstremiste, i referoheni grupeve politike apo individëve jashtë politikës?

Më duket se jam shumë i qartë. Shikoni ata që tërë ditën rrinë e merren me krijimin e mosbesimit dhe të urrejtjes midis dy popujve, kur ne në Greqi kemi gati 1 milion shqiptarë dhe kur dihet që Greqia është një nga mbështetëset kryesore të integrimit evropian të Shqipërisë, të liberalizimit të vizave për të gjithë shqiptarët ashtu sikurse edhe Greqia ka qenë një mbështetëse shumë e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Nuk e di se kujt i shërbejnë qëndrime dhe politika të tilla? Në rast se ka një problem me Qeverinë e Shqipërisë, kjo është çështje tjetër, dhe secili ka mënyra të ndryshme dhe rrugën për të ngritur një çështje që nuk shkon me mënyrën se si vepron Qeveria shqiptare. Por askush nuk ka të drejtë të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve se nuk janë marrëdhënie ndërmjet dy qeverive.

A ka shprehur Greqia ndonjë rezervë në lidhje me këtë vendim të Gjykatës?

Qëndrimi i Greqisë ka qenë tepër korrekt. Ata respektojnë institucionet shqiptare, gjë që është konfirmuar edhe nga Ministri i Jashtëm Plotësues grek Droucas këtu në Tiranë kur u është përgjigjur pyetjeve tuaja.

FUND

KOMENTE