Tiranë, 31 janar NOA - Ministria e Brendshme ka njoftuar sot me anë të një deklarate për shtyp se gjatë 24 orëve të fundit në veri dhe në juglindje të vendit ka pasur reshje të shumta shiu dhe dëbore por situata është e normalizuar dhe akset kryesore janë të kalueshme.
Sipas emergjencave civile në qarkun e Shkodrës situata është normalizuar.
Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës së kaluar në rrethin e Shkodrës ka pasur 125 mm shi. Të gjitha rrugët për në fshatrat e komunave të përmbytura ditë më parë janë të kalueshme nga të gjitha llojet e mjeteve.
Ka ende 1800 ha tokë me prezencë uji, 78 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji.
Në rrethin e Pukës ka pasur dhe vazhdojnë të bien reshje bore dhe shiu, të shoqëruara me temperatura të ulëta. Aktualisht rrugët janë të kalueshme, me vështirësi dhe në disa segmente është i detyrueshëm përdorimi zinxhirëve, si në rrugën Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës-Morinë dhe në rrugën Qafë Mali-Fierzë.
E bllokuar në rrethin e Pukës mbetet vetëm rruga për në Komunën Iballë.
Në Malësinë e Madhe të gjitha rrugët për në qendrat e komunave janë të kalueshme nga automjetet, por në disa raste nevojitet përdorimi i zinxhirëve, si në akset rrugore për në komunat Vermosh, Kelmend, Shalë dhe Shosh.
Në Qarkun e Lezhës aktualisht situata paraqitet normale, pavarësisht se reshjet kanë qenë intensive dhe vetëm dje dhe gjatë natës së kaluar kanë renë 57 mm shi.
Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme plotësisht dhe mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shërbimet e qarkullimit rrugor dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve.
Hidrovoret janë në gatishmëri dhe punojnë me kapacitet të plotë.
Në Qarkun Kukës gjatë natës ka pasur reshje intensive shiu dhe në zonat malore mbi 600 m ka pasur reshje bore. Aktualisht reshjet janë ndërprerë.
Në të gjithë rrjetin rrugor nuk kemi probleme të veçanta me qarkullimin e automjeteve. Moti sot është më i butë dhe pritet të kemi pakësim të reshjeve.
Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në komunat: Arrën, Gryk Çajë dhe Zapod.
Në Qarkun e Dibrës gjatë natës së kaluar ka pasur reshje intensive shiu dhe në zonat malore mbi 600 m reshjet kanë qenë në formë dëbore.
Aktualisht bien reshje intensive bore në rrethin e Dibrës, shoqëruar me temperatura të ulëta deri në -4 gradë Celcius. Në rrethet Bulqizë dhe Burrel, reshjet kanë qenë më të pakta dhe aktualisht nuk bien. Nga shirat e ditës së djeshme dhe gjatë natës që kaloi situata është përmirësuar ndjeshëm në rrjetin rrugor.
Aktualisht të bllokuara janë komunat Kala e Dodës në rrethin e Dibrës dhe Komunat Ostren dhe Trebisht, në rrethin e Bulqizës.
Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme plotësisht dhe mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shërbimet e qarkullimit rrugor dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve.
Në Qarkun e Durrësit nga fryrja e lumit Ishëm dhe lumit Tërkuzë në bashkimin e tyre, në afërsi me fshatin Mërqin, Komuna Bubq, ka dalje të ujit në parcelat bujqësore dhe në një banesë uji ka prekur edhe oborrin e saj. Probleme të tjera nuk ka pasur.
Në Qarkun e Korçës situata paraqitet normale.
Ka pasur borë në segmentin rrugor Qukës-Qafë Thanë, por Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka mbajtur në gatishmëri borëpastrueset, të cilat nuk kanë lejuar për as edhe një moment bllokimin e rrugës. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme.
k.k/NOA