Nëse më vjen nesër një i dërguar i kryeministrisë të më pyesë se i çfarë besimi jam, unë kam për ta pyetur për bindjet e tij politike ose sportive. Po aq sa është e mundshme një përgjigje e tij, po aq është i mundshëm regjistrimi i bindjeve të mia fetare a shpirtërore a ideologjike nga zyra që ai përfaqëson
Nga Ardian Klosi Është krejt e paqartë se kush u bë promotor për një regjistrim të popullsisë shqiptare në bazë fesh. Disa thonë se është kërkesë e BE-së, dhe ka të bëjë mesa duket me shanset e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizëm, të tjerë mendojnë se kjo s'ka të bëjë aspak me komunitetin europian, sepse Europa s'mund të shtrojë një kërkesë kaq arkaike, madje jodemokratike sa regjistrimin e një kombi në bazë të bindjeve të tij fetare. Shkaku, vazhdojnë këta, duhet të jetë ndonjë prapamendim ose djallëzi e qeverisë sonë, për ta nxjerrë Shqipërinë më myslimane ose më ortodokse se ç'mendohet të jetë, për përfitime të ndryshme që mund të kenë (ata, të qeverisë). Nga ana tjetër është krejt e qartë, kushdo të jetë ideatori i kësaj fantazme nga e kaluara, se projekti është i dështuar qysh në embrion. Ai nuk ka për t'u realizuar asnjëherë, jo vetëm pse shumica e shqiptarëve janë aq të zgjuar sa mos u japin përgjigje do të dërguarve të qeverisë (të cilët i përfytyroj si ata djemtë e rinj, anëtarë të sekteve që vijnë rrotull nëpër Shqipëri me kostumet, kravatat dhe fytyrat e tyre buzëqeshëse) që do të futin hundët në bindjet personale të njërit dhe të tjetrit, por edhe për pamundësinë reale që të gjendet disi përkatësia fetare e shqiptarëve me ndonjë rrugë tjetër. Por para se të shpjegojmë këto pamundësi le të theksojmë disa të vërteta të thjeshta lidhur me fetarinë ose besimet e bashkëkombësve, për të davaritur klishetë që e ekzistojnë përgjithësisht e që përdoren sidomos nga politikanët. Këto të vërteta pastaj vetiu shpjegojnë pse procesi i regjistrimit të shqiptarëve në bazë feje është i dështuar qysh në kokat që e pollon. Shqiptarët në punë besimi nuk janë të ndarë në katër, por në pesë komunitete të mëdha. Veç komunitetit mysliman-sunit, atij mysliman-bektashi, komunitetit të krishterë-ortodoks dhe atij të krishterë-katolik, ekziston edhe komuniteti i mospraktiuesve të fesë. Ky komunitet i pestë në të vërtetë duhet rreshtuar i pari, sepse është më i madh në numër se gjithë të tjerët, veç e veç, por edhe së bashku. Në të hyjnë të gjithë shqiptaret dhe shqiptarët me prindër laikë: komunistë, jokomunistë por mosbesues, prindër në martese të përziera etj. Fëmijët nga këto martesa i dallon shumë lehtë, sepse kanë emra që nuk rrjedhin nga besimet ose historitë fetare. Madje, po të nisesh nga emrat, del në përfundimin se shqiptarët janë populli më laik i Europës, ndoshta edhe i botës, pasi sidomos në brezat më të rinj 90-95 për qind mbajnë ose emra ilirë, ose emra me kuptim (Gëzim, Kujtim, Bujar, Vjollca, Shpresa etj.), ose emra heronjsh të muzikës pop dhe të botës së filmit. Megjithatë nuk duam të marrim emrat si bazë kryesore, sado që edhe ata flasin fare qartë për ekzistencën ose jo të përshpirtshmërisë ose traditës fetare. Klisheja më e zakonshme që përdorin sidomos politikanët është: Shqiptarët janë një popull me tolerancë të madhe dhe shembull i bashkëjetesës së komuniteteve fetare. Kjo të lë të kuptosh sikur ke të bësh me një popull të çuditshëm, tepër të veçantë, zemërmirë, me ca grigja që jetojnë njëra në këtë tjetra në atë lagje dhe përditë shkojnë e pinë kafe te njëri-tjetri. Mirëpo pastaj nuk e kupton se si mund të jenë kaq jotolerantë në punë të tjera p.sh., në çështje prone, në çështje të lirisë së tjetrit, të qetësisë së tjetrit kur ngrenë muzikën ose u bien borive në kupë të qiellit, deri në moshapjen e rrugës kur je në trafik, mostolerantë ndaj këmbësorëve, pemëve, kafshëve dhe zogjve etj., etj. Le që ka plot shembuj mostolerance fetare në historinë tonë, të mos bëjmë kaq si engjëj. Kur masakronte fshatra të tërë si Shën Vasilin e Nivicën Ali pashë Tepelena e bënte këtë pikërisht në emër të epërsisë myslimane ndaj racës qafire, po kështu kur dërrmonte suljotët. Kur digjte Voskopojën Sali Butka me të tjerë, e bënte këtë edhe për t'u dhënë një mësim kaurëve. Në Shkodër historikisht dasia fetare dhe mëritë e fshehura ndaj komunitetit tjetër kanë qenë të theksuara, deri dhe sot janë të rralla martesat e përziera katolike-myslimane. Është shumë më e saktë të themi se shqiptarët historikisht kanë qenë pragmatistë dhe në një masë të madhe indiferentë ndaj feve. Duke jetuar në kryqëzime rrugësh të mëdha, në kufij ndarës midis perandorive dhe besimeve të mëdha, ata e kanë kuptuar herët se s'ka ndonjë vlerë të falesh e të vdesësh pas flamurit të ndonjë feje, më e mira është t'u përshtatesh të fuqishmëve, qofshin këta princër katolikë si Anzhutë, qofshin mbretër ortodoksë si Dushanët, qofshin sundimtarë vendas si Balshajt ose Topiajt, qofshin sulltanë e vezirë osmanë, qofshin sekretarë të përgjithshëm komunistë etj.. Ky pragmatizëm i ka bërë, në një masë të madhe, jo-fanatikë, jo-praktikantë të zellshëm, të lehtë për t'u konvertuar, laikë dhe një masë të madhe të paditur në punë feje. E pra tolerantë është një shprehje e pasaktë, sepse tolerant ndaj tjetrit njeriu është kur ka dituritë e nevojshme, kur e njeh, në rastin konkret, fenë e tjetrit. Ndoshta duhet theksuar ky moment, i paditurisë fetare, sepse lehtë ndodh pastaj, kur s'ke njohjen e nevojshme të krishterimit, të myslimanizmit etj., që një numër qytetarësh bien në gjirin e sekteve të ndryshme ose e rrymave fanatike të x-feje të madhe. Kur pohojmë që përgjithësisht, në histori e sidomos sot, shqiptarët i dallon pragmatizmi dhe indiferenca fetare, nuk duam të themi, përsëri, se janë ndonjë popull i veçantë. Edhe në historinë tonë, sikurse të fqinjëve dhe popujve të tjerë të kontinentit gjen shembuj në një devocioni të rrallë, madje martirizimi në emër të fesë. Sakrifica e përfaqësuesve të komunitetit katolik të veriut pas vitit 1944, aq shumë martirë në emër të besimit, është e jashtëzakonshme, sikurse është e jashtëzakonshme ruajtja këmbëngulëse e besimit ortodoks nga arbëreshët e Italisë për shekuj të tërë mes një mjedisi katolik. Pra, edhe teza nacionaliste e Pashko Vasës, se feja e shqyptarit asht shqyptaria, nuk qëndron. Toleranca fetare vërtet ekzistoi dhe funksionoi në agimin e shtetit të ri shqiptar. Kjo ishte një meritë e veçantë e përfaqësuesve më të rëndësishëm të katër komuniteteve fetare të vendit. Por, me marrjen e pushtetit nga komunistët, kjo tolerancë e humbi kuptimin, pasi në rend të ditës u ngjit intoleranca ndaj çdo lloj feje tjetër që nuk ishte feja komuniste. Natyrisht që Enver Hoxhës ia lehtësoi punën e unifikimit të kombit sipas trekëndëshit të famshëm mësim-prodhim-stërvitje ushtarake, edhe pragmatizmi dhe indiferenca e pjesës më të madhe të shqiptarëve në çështje feje. Jo se i ktheu ata kollaj në komunistë, por se regjimi i tij ia hoqi për 45 vjet me radhë shumicën e kujtimeve dhe reminishencave besimtare. Pa dyshim është për t'u lëvduar puna e komuniteteve më të rëndësishme të vendit pas vitit 1990 për të rimëkëmbur sa më shumë nga trualli i humbur pas një traume gjysmëshekullore. Se ç'fryte do të japë puna e tyre, se ç'raporte fetare do të dallojnë shqiptarët në të ardhmen, kjo ndoshta do dhjetëvjeçarë të konstatohet. Por le të jemi të sinqertë dhe realistë: Shqipëria e fillimshekullit 21 është krejt e ndryshme nga Shqipëria e fillimshekullit 20. Nuk mund të përdorësh sot një retorikë që mund t'i shkonte Sulejman Delvinës, Imzot Bumçit dhe at Theofan Nolit. Nuk mund të flasin nga mëngjesi në darkë për tolerancë fetare dhe të bëjnë vizitat e tyre hipokrite nëpër komunitete ditët e festave, duke u hequr si besimtarë dhe tolerantë, do politikanë që vijnë thjesht nga komunizmi dhe që nuk njohin ndonjë dogmë tjetër. E pastaj të kërkojnë të na regjistrojnë në bazë fesh. Duke qenë që shumica e shqiptarëve janë jopraktikantë, duke qenë që ata nuk janë të regjistruar në ndonjë nga komunitetet kryesore fetare të vendit, nuk paguajnë taksa dhe nuk japin kontribute për to, çështja se çfarë besojnë së brendshmi është çështje krejt private dhe askush nuk ka të drejtë t'i pyesë për to. Ndërhyrja në këto çështje është cenim i sferës private. Në Gjermani p.sh., dihet se sa qytetarë janë protestantë dhe sa janë katolikë vetëm në bazë të regjistrave tatimorë, pasi anëtari i një komuniteti fetar paguan njëkohësisht taksën për kishën përkatëse. Ndërsa pjesa tjetër - nëse është e besimit budist, bahai a kushedi çfarë, nuk është e regjistruar dhe s'mund të jetë. Nëse më vjen nesër një i dërguar i kryeministrisë të më pyesë se i çfarë besimi jam, unë kam për ta pyetur për bindjet e tij politike ose sportive. Po aq sa është e mundshme një përgjigje e tij, po aq është i mundshëm regjistrimi i bindjeve të mia fetare a shpirtërore a ideologjike nga zyra që ai përfaqëson.
(*) Pikepamjet jane personale