English

Një tjetër përgjigje për Sali Berishën

>> Djali i Dades: Unë, viktimë terrorit politik

>> Orik Shyti: Berisha thërret në ndihmë "Hakmarrjen"

Duket se gjëmat e fundit që u shkaktoi shqiptarëve dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve e detyruan të thërrasë në ndihmë "Hakmarrjen" dhe "pallatet" e saj, me shpresë se, duke u freskuar kujtesën me shpifjet e vjetra, ithtarët nuk do ta braktisin

Orik Shyti*

Dje dhe sot Sali Berisha ka botuar në gazetat e tij shpifje të vjetra për lidhjet tona me Edi Ramën etj. Nuk zgjodhi shpifjen më të preferuarën, atë të vendosjes së autobombës tek supermarketi "VEFA". Nuk zgjodhi as produktin e analizës së tij shkencore, që bënte autor të shkrimeve tona Edi Ramën. Zgjodhi një disi si të harruar, lejen që na paskësh dhënë Edi Rama për të ndërtuar kompleksin e pallateve në qendër të Kryeqytetit, duke prishur "qendrën historike të Tiranës, kinemanë "17-Nëntori", sikundër kishte qejf ta përsëriste gjatë viteve që ishte në opozitë.

Po i kujtojmë opinionit publik se ditët e para të punës si kryeministër i drejtuam një letër. I kërkuam që të bënte atë çka kishte në kompetencë të bënte me të gjithë pallatet dhe vilat, që kishte thënë se i kishim ndërtuar ne. Sali Berishës nuk i mjaftuan vitet e mandatit të parë qeverisës për t'i dhënë përgjigje letrës. Nuk foli as kur shtypi zbuloi se në ato pallate (tek ish-kinema "17-Nëntori") ishte pronare edhe vajza e tij. Fabula ishte interesante për të bërë humor me Shpifësin, por ne nuk folëm. E bija e Sali Berishës ishte në të drejtën e saj të blinte atje ku dëshironte. Nuk folëm sepse nuk e kemi në karakter të vëmë përposh ata që, në një formë a në një tjetër, bien në grackën e fajit të tyre.

Duket se gjëmat e fundit që u shkaktoi shqiptarëve dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve e detyruan të thërrasë në ndihmë "Hakmarrjen" dhe "pallatet" e saj, me shpresë se, duke u freskuar kujtesën me shpifjet e vjetra, ithtarët nuk do ta braktisin.

Letrën e përmendur po e japim për ribotim. Teksti i saj është botuar nga gazetat kryesore të Tiranës në 13.09.2005, bashkë me faksimilen e dorëshkrimit të vëllait, Leartit, që mbante firmat e ne të dyve.

Lexuesit le ta ndajnë vetë të vërtetën nga shpifja. Ndërsa Berishës po i kujtoj shprehjen "më mirë vonë se kurrë". Le t'i përgjigjet tani letrës.

Gjithashtu, dje e sot shtypi i Berishës botonte shpifjen tjetër të tij, sipas të cilës ne jemi njëkohësisht miq dhe armiq të Aldo Bares. Kësaj shpifjeje i kemi dhënë përgjigje rreth 2 vjet më parë. Deklaruam se Aldo Baren dhe Enver Dondollakun nuk i kishim njohur kurrë as nga afër, as nga larg, as për mirë e as për keq. Fotografitë dhe akuzat për ta i kemi parë në faqet e shtypit, më shumë në internet.

Ata që nuk e dinë duhet ta dinë se Berisha e ngriti këtë shpifje mbi një fjali të marrë nga biseda e përgjuar e E.Dondollakut me A.Baren. Ja cila është fjalia: "Edi Rama do hiqet nga detyra se është i lidhur me "Hakmarrjen". Vetëm kaq.

Përgjimi i policisë italiane është i datës 23 shkurt 2003, kohë kur Sali Berisha, ditë për ditë dhe më shumë se njëherë në ditë, shpifte për lidhjet e Edi Ramës me "Hakmarrjen". Përmbajtjen e kësaj fjalie, Saliu dhe shërbëtorët e tij përpiqen t'ua shesin shqiptarëve si provë të drejtësisë italiane që vërteton lidhjet e "Hakmarrjes" me Edi Ramën dhe me Aldo Baren.

Në atë kohë, fjali si e cituara mund të jenë shqiptuar nga shumë njerëz, ngaqë, në saje të Berishës, "Hakmarrjen" e njohin të gjithë, të ditur dhe të paditur, të ndershëm dhe të pandershëm, të pasur dhe të varfër, vrasës dhe viktima, vjedhës dhe të vjedhur. Po aq mirë e njohin edhe të huajt. Jo vetëm në ato ditë, por prej një kohe të gjatë shumëkush e ka përdorur dhe e përdor "Hakmarrjen" në biseda të drejtpërdrejta apo telefonike, madje edhe në shkresa e dokumente zyrtarë. Mirëpo, Saliu zilepset kur jehona e shpifjes së tij i kthehet nga ndokush që akuzohet për krime.

Shpifjeve të vjetra sot u shtohej një shpifje e re. Një shërbëtor i tij i majmur, shëmbëlltyrë e denjë e një thes të mbushur me të pëgëra, sot shkruante se Edi Rama më paska dërguar mesazh nëpërmjet konferencës për shtyp.

Me të drejtë thuhet se krimi ka botën e tij. Por në Shqipëri ka edhe një botë tjetër, që është po aq vrastare, po aq vjedhëse, po aq e pështirë saç është bota e krimit. Dhe kjo është bota e shpifësve e krijuar dhe e udhëhequr nga Sali Berisha.

Me respekt për lexuesit.

Orik Shyti

Letër

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë

Zotit Sali Berisha

Zoti Kryeministër,

Opinioni i gjerë i njeh marrëdhëniet që ju keni krijuar me ne, qysh nga 16 tetori i vitit 1996. Zgjedhja juaj për të mos na përmendur drejtpërdrejt, që përfshiu periudhën 1997-2002, shkaktoi një farë harrese. Por ata që harruan ishin të paktë dhe ju s'mund të mbani përgjegjësi për pamundësinë e tyre për të lexuar emrin "Hakmarrja për Drejtësi" nën mbulesën e shprehjeve tuaja aluduese. Ju s'mund të mbanit përgjegjësi as kur sejmenët flisnin e shkruanin për pritën që po ju zinte "Hakmarrja" ditën që po vizitonit Vlorën (pas 1997) e plotë të tjera.

Kjo gjendje nuk zgjati shumë. Më 12 shkurt 2003, durimi juaj u sos. Sapo dëgjuat vendimin e gjykatës që pushonte akuzat e ngritura kundër nesh, i mënjanuat sejmenët dhe me sigurinë e burrit që e di mirë se çfarë duhet thënë në mexhlis, deklaruat se edhe gjyqtarët që gjykuan çështjen ishin anëtarë të "Hakmarrjes", dhe i përsëritët të gjitha akuzat e 16 tetorit 1996. Që nga ajo ditë nuk ia besuat askujt fshehjen e krimit që kishit kryer ndaj nesh. Rifilluat dhe s'keni ndaluar. I shqiptuat me gojën plot edhe një pjesë të akuzave që më parë i kishit shprehur me aludime, kurse sejmenët ua kishin hequr mbulesën gjuhësore në kohën e duhur. Ngritët edhe akuza të reja. Na keni akuzuar se kemi vrarë e rrëmbyer persona, kemi vjedhur votat e partisë tënde dhe se për këto krime po shpërbleheshim nga qeveritarët e partisë tjetër me sheshe për ndërtim pallatesh.

Nuk ka çështje më të përfolur e më të përdorur nga ju personalisht sesa "Hakmarrja për Drejtësi", që ne e kishim "krijuar me karakter të qartë politik… me mision funksionimin në bazë të një strukture të përcaktuar… me qëllim destabilizimin e rendit publik nëpërmjet shkatërrimeve me mjete të rrezikut të përbashkët të objekteve shtetërore e firmave të mëdha private, vrasjen e personave me detyra të larta shtetërore, vrasjen e punonjësve të policisë e të drejtësisë, grabitjen e bankave… etj. Kryerja e këtyre akteve synonte të krijonte imazhin që demokracia është krim, siç deklaron Leart Shyti gjatë hetimit…". Kështu keni thënë më 16 tetor 1996. Akuzat e mëvonshme njerëzit i kanë të freskëta.

Tani zgjedhjet i fituat, "Hakmarrja për Drejtësi" nuk jua vodhi votat dhe ju nuk jeni më viktimë, siç keni pretenduar në 10 vjetët e fundit. Jeni kryeministri i vendit dhe jo thjesht Sali Berisha që i di mirë të këqijat, por s'ka pushtet t'i luftojë. Njerëzit presin që të mbani premtimet dhe është normale që në programin qeverisës të 100 ditëve të para të përfshini edhe çështjen e "Hakmarrjes", si një nga problemet që ju ka shqetësuar më shumë. Por, për të mos ju vënë në vështirësi, se, siç thoni e thonë, keni ndryshuar (medemek do respektoni ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve, veçanërisht atë gjyqësor), dhe për të mos u keqkuptuar nga ata që besojnë se pushtetet janë të ndara dhe ju si kryeministër nuk mund të përziheni në punët e të tjerëve, po jua thjeshtojmë punën.

Sqarojmë se nuk e kemi fjalën që brenda 100 ditëve t'i tregoni opinionit procesverbalin me fjalët "demokracia është krim", planet, kodet e platformat kriminale që keni thënë se na i kapët bashkë me armët, eksplozivin, 1 milion dollarët dhe planin për vrasjen tuaj, të cilin nuk e paskëshim realizuar se atë ditë që do ta zbatonim, honxhobonxhot e tu na arrestuan dhe ty të shpëtuan, sepse këto e shumë të tjera nuk i janë paraqitur asnjë gjykate dhe koha i ka bjerrë disa mundësi për falsifikime të reja.

Zotëri, ju keni ngritur aq shumë akuza kundër nesh, sa nuk kanë ngritur gjatë gjithë karrierës së tyre hermafroditët e vënë enkas në krye të organit të akuzës për të përmbushur vullnetin tuaj, duke i zyrtarizuar shumicën e tyre në dy faza. Por, fjalën e kemi vetëm për atë akuzë, vërtetimi i së cilës është në kompetencën e kryeministrit. Konkretisht, me dhjetëra herë na keni akuzuar botërisht se me paratë e krimit kemi ndërtuar pallate e vila tek ish-kinema "17 Nëntori", pranë TV "Klan" e gjithkund ku të ka shkuar syri e mendja. Keni thënë se sheshet na i jepte kryetari i bashkisë dhe qeveria na mbronte. Tani jeni kryetari i qeverisë dhe i keni të gjitha mundësitë që akuzën ta vërtetoni. Keni shumë arsye ta bëni këtë, një prej tyre është se ne botërisht kemi thënë se ju jeni shpifës.

Është koha që të tregoni se e mbani fjalën, zoti Kryeministër. Bëje këtë se ke për të mbetur atje ku e keni merak, në histori, si simbol i luftës kundër krimit të organizuar e të paorganizuar që vetë i nxitët me zell për të mbajtur medoemos e rimarrë, gjithashtu medoemos, pushtetin.

Duke vërtetuar një akuzë fare të thjeshtë dhe tërësisht në kompetencën tuaj, do t'i bindni njerëzit anë e mbanë se të gjitha akuzat që keni ngritur ndaj nesh janë të vërteta dhe epitetet poshtëruese të justifikuara.

Edhe ne do ta mbajmë fjalën, gjithë vlera e pallateve le t'u jepet jetimëve tropojanë që intrigat e tua i lanë pa baballarë. Ndoshta u lehtësohet ndopak mjerimi ekonomik dhe, ku ta dish, janë brez tjetër dhe nuk e kërkojnë gjakun.

Shpresojmë se, për hatër të fjalës së dhënë, që është e vetmja lidhëse që lidh burrin, do ta përfshini në programin e 100 ditëve të para edhe zbulimin e "milionave të krimit që "Hakmarrja për Drejtësi" i ka përdorur për të ndërtuar pallate".

Kjo është edhe më e thjeshta akuzë. Të tjerat ju i keni vetë merak dhe nuk dyshojmë se fjala juaj do të shkojë në vesh të atyre që lajnë mëkatet tuaja, paçka se do duhet më shumë kohë, sepse nuk mund t'i shkelni ligjet e Kushtetutën hapur si më parë me tërsëllëm e sokëllima. Këtu duhet të keni ndryshuar dhe këtë themi ta besojmë edhe ne.

12.09.2005

Leart Shyti

Orik Shyti

(*) Shkrimi dhe letra, dërguar nga autori, pikëpamjet e shprehura, janë personale

KOMENTE