Pekini i ka rritur kritikat ndaj planeve të Shteteve të Bashkuara për t'i shitur armë Tajvanit, duke thënë se shitja e tillë do ta dëmtonte sigurinë kombëtare të Kinës
Kina e ka ashpërsuar retorikën në mosmarrëveshjen rreth planit të Shteteve të Bashkuara për t'i shitur armë Tajvanit. Vërejtjet janë bërë nga ministri i Jashtëm, Jang Xhieqi, deklarata e të cilit u lexua në televizionin shtetëror. "Shtetet e Bashkuara veprojnë gabimisht dhe seriozisht i shkelin marrëveshjet me Kinën, veçanërisht Komunikatën e 17 gushtit. Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë vrazhdë në punët e brendshme të Kinës dhe e kanë dëmtuar sigurinë kombëtare të Kinës, si dhe qëllimin madhor të ribashkimit. Kina është fuqimisht kundër këtij hapi të SHBA-ve", ka thënë Xhieqi. Ministri i Jashtëm kinez ka theksuar se Shtetet e Bashkuara duhet t'i respektojnë interesat dhe shqetësimet kryesore të Kinës dhe menjëherë ta tërheqin vendimin e gabuar për t'i shitur armë Tajvanit, si dhe të pushojnë së shituri armë Tajvanit, me qëllim që të shmangin dëmtimin më të gjerë të marrëdhënieve kinezo-amerikane. Xhieqi ishte zyrtari më i lartë kinez që deri sot ka denoncuar planin për shitjen e armëve në vlerë prej 6.4 miliardë dollarë. Në bazë të ligjit në SHBA, Agjencia për Bashkëpunim në fushën e Sigurisë pranë Departamentit të Mbrojtjes, e ka njoftuar Kongresin për paketën e re të shitjes së armëve, e cila është pjesë e paketës, që fillimisht e kishte marrë zotimin nga administrata Bush. Paketa e re përfshin helikopterë 60 UH-60 Black Hawk, dy anije për zbulimin e minave, 114 sisteme mbrojtëse Patriot, 12 predha Harpun kundër anijeve, predha që godasin objektet në tokë, si dhe pajisje, komunikime dhe teknologji përkatëse. Paketa nuk përfshin nëndetëse dhe aeroplanë luftarakë F-16, që i pati kërkuar Tajvani. Pekini ka reaguar me ashpërsi, duke thënë se do ta pezullojë shkëmbimin ushtarak me Shtetet e Bashkuara, ta rishikojë bashkëpunimin në fushat kryesore, si dhe të vendosë sanksione ndaj kompanive private që janë përfshirë në shitjen e armëve, në qoftë se Uashingtoni nuk e anulon dërgesën e re të armëve. Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Krouli, e mbrojti planin e shitjes, duke e quajtur të nevojshëm për të stabilitetin rajonal. "Ky është demonstrim i qartë i përkushtimit se kjo administratë do ta furnizojë Tajvanin me armët e nevojshme mbrojtëse, ashtu siç është paraparë në Aktin për Marrëdhëniet me Tajvanin. Ne mendojmë se ky veprim është konzistent me politikën e Shteteve të Bashkuara për Kinën, bazuar në tri komunikatat e përbashkëta mbi aktin për Marrëdhëniet me Tajvanin, dhe kontribuon për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Gjirin e Tajvanit", ka thënë Krouli. Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor me armë i ujdhesës, ndërkohë që Kina e kundërshton shitjen e armëve amerikane Tajvanit, të cilin e konsideron si provincë të saj. Prej vitit 1949, kur forcat nacionaliste u larguan në ujdhesë pasi e humbën luftën nga komunistët, Pekini është kërcënuar se do të përdorë forcën për ta kthyer nën kontroll Tajvanin, nëse ai shkon drejt pavarësisë formale. Marrëdhëniet SHBA-Kinë tash u acaruan pasi në vitin 2009 liderët e dy vendeve u zotuan ta përmirësojnë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Pekinit dhe Taipeit. Megjithëse bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armatimit bërthamor dhe çështje të tjera, Pekini dhe Uashingtoni kanë mospajtime mbi tregtinë, kontrollin e rreptë të valutës kineze, politikat në Tibet dhe cenzurën në internet.