English

PS shpreh shqetësime mbi situatën e rendit në vend

Tiranë, 31 janar NOA - Partia Socialiste shprehu sot shqetësimin për faktin se kjo javë ka qenë alarmante sa i përket sigurisë së shtetasve dhe alarmon se është rritur pasiguria e jetës.

"Ky fenomen është shqetësues, për çdo shqiptar që e sheh ditë pas dite se sa pak vlen jeta e tij, pikërisht nga mungesa e sigurisë në vend", - tha para disa minutash në një dalje për mediat, Pirro Lutaj, deputet i PS.

Ai vlerësoi se dy vrasje në tre ditë me nga tre viktima secila, tregojnë më së miri, se propaganda qeveritare është abuzuese dhe e paqartë në filozofinë e sigurimit të rendit dhe të qetë sisë në vend.

"Servirja publike e uljes së krimit të vrasjes është një abuzim skandaloz i qeverisjes së sotme. Niveli i kriminalitetit nuk mund të matet kurrsesi vetë m me një krim. Po është tërësia e veprave penale që ndodhin në një territor gjatë një periudhë të caktuar kohore, që e përcaktojnë këtë", - konsideroi Lutaj.

Ai tha se shifrat e kriminalitetit sipas statistikave që ka demonstruar vetë Policia e Shtetit, janë alarmante, dhe nuk japin aspak tablo optimiste të situatës së sigurisë në vend.

"Kështu, nëse do t'i referohemi statistikave zyrtare të Policisë, vihet re se krimi është në rritje dhe i pakontrolluar gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance. Rritja e kriminalitetit është gati 1200 vepra penale për çdo vit, çka flet vetë për një situatë alarmante dhe mosplotësim të standardeve që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë në vend", - tha Lutaj.

Sipas tij, në analizën e punës së Policisë së Shtetit për vitin 2009, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë fshehu për herë të parë dhe jo rastësisht, statistikën e krimeve kundër pronës.

"Ky është një rast i paprecedent, por që ka një shpjegim. Numri i këtyre krimeve është në rritje skandaloze, ndërkohë që fuqia zbuluese për këtë figurë krimi është më e ulëta historikisht, vetëm 45 për qind", - komentoi Lutaj.

Po ashtu ai evidentoi si shqetësuese për qytetarët janë bërë dhe vjedhjet e shumta të banesave, të qytetarëve në rrugë, të bizneseve, të cilat shumë shpesh mbeten të pazbuluara.

Kurse vlerësoi se "shumë faktorë e favorizojnë kriminalitetin në vendin tonë të cilët e kanë zanafillën në politikën e ndjekur këto vite të fundit me kuadrot e policisë". Lutaj akuzoi se janë hedhur në rrugë rreth 2600 punonjës policie të specializuar, të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, të cilët tha se janë zëvendësuar me militantë partie.

e.r/NOA

KOMENTE