Situata e NATO-s në Hindukush për Rusinë është një përvojë e dhimbshme "deja vu". Ish-Bashkimi Sovjetik u detyrua që në fund të viteve të 90-ta të tërhiqet i mposhtur nga Afganistani. Moska mbështet strategjinë, e cila u miratua në Konferencën për Afganistanin, që u zhvillua në Londër. Por ekspertët rusë shohin paralele të frikshme
Nga "Die Welt"
E interesuar, pjesërisht e ngazëllyer, por edhe me brengë Rusia po përcjell vështirësitë e aleatëve perëndimorë në Afganistan. Politikanët rusë, si Dimitri Rogosin, tani këshillojnë perëndimin, edhe për shkak të interesave të tyre: mos u largoni tani nga ky vend, terrorizmi dhe droga na rrezikojnë edhe neve. Gazetari Vladimir Snegirjov, i cili ka përcjellë fushatën sovjetike dhe vitet e 90-ta në Afganistan, megjithatë tërheq vërejtjen se shtimi i forcave të huaja në Afganistan do të rezultojë me forcimin e rezistencës. Por, ai gjithashtu është i mendimit se strategjia e dyfishtë e angazhimit ushtarak dhe e rindërtimit mund të funksionojë. Ai është i mendimit se duhet të bisedohet me talebanët. Snegirjov për herë të parë në Afganistan ka shkuar në vitin 1981. Ai qëndroi aty një vit dhe vizitoi herë pas here Afganistanin gjatë dy dekadave në vijim. "Afganistani u bë pjesë e jetës time", thotë ai. Në vitin 1979, forcat sovjetike marshuan në Afganistan, kinse me ftesën e një grupi të kryesuar nga Babrak Karmal, i cili më vonë ishte përkohësisht president i vendit, i mbështetur nga Moska. Njësia speciale, Alpha, iu vërsul pallatit presidencial në Kabul dhe vrau Hazifullah Aminin, i cili një vit më herët u ngrit në pushtet, me ndihmën e një puçi prokomunist. "Alpha kishte urdhër që ai të mos kapet i gjallë. Çka do të kishin bërë me të? Ta dënonin? Për çka", thotë Snegirjov. Askush atëbotë nuk ka menduar, e as ai vetë, se do të bëhej kjo një luftë tejet e vështirë, e cila në fund nuk u fitua. "Nuk e njihnim mirë Afganistanin. Ishte ky një shtet në periferi, me të cilin Moska ka pasur gjithmonë marrëdhënie të mira, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për periudhën e mbretit, apo të republikanit Daoud. Por askush nuk e dinte realitetin. Kur forcat tona hynë në Afganistan, të gjithë mendonin se ato do të qëndronin shkurt aty", tha Snegirjov. Gjatë vlerësimit të situatës, në të cilën sot gjenden amerikanët dhe koalicioni ndërkombëtarë në Afganistan, Snegirjov zbulon shumë paralele. Më e rëndësishmja: "Sa më shumë forca dërgohen atje, aq më tepër ashpërsohet lufta dhe rezistenca e afganëve". Bashkimi Sovjetik fillimisht dërgoi 60 mijë ushtarë, e më pas kontingjenti i ushtarëve u shtua në 120 mijë. Por kot: në vitin 1989 forcat e mposhtura sovjetike u detyruan të tërhiqen. Në situatë të ngjashme sot është edhe Perëndimi. Me dërgimin e 30 mijë ushtarëve shtesë amerikanë në Afganistan, rezistenca e afganëve vetëm sa do të forcohet, parasheh Snegirjov. Këtë nuk mund ta ndryshojë as presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i cili përkrahet nga Perëndimi. Njeriu i sovjetikëve atëbotë quhej Babrak Karmal. Sikur edhe Karzai sot, edhe Karmal qëndronte i mbyllur në pallatin e tij presidencial, i paaftë që të zgjidhë problemet e vendit. Më pas kemi edhe ushtrinë afgane. "Edhe ne bëmë përpjekje për të formuar një ushtri dhe nuk ia kemi arritur kurrë qëllimit. Ata nuk ishin të aftë për luftë, dezertimet ishin përditshmëri. Sot, për çdo vit dezertojnë nga 20 deri në 30 mijë ushtarë afganë dhe atë me armë në dorë", thekson Snegirjov. Përkundër gjithë armiqësisë ndaj Perëndimit dhe përkundër mbështetjes dhe përkrahjes për terrorin e Al Qaidës, a duhet në situatën e tanishme të bisedohet me talebanët. Snegirjov, i cili në vitet e 80-ta dhe të 90-ta ka vizituar shumë pjesë të Afganistanit, thotë po. "Talebanët nuk janë një grup i vogël i terroristëve. Ata mbështetën nga një pjesë e madhe e popullatës. Ata kanë ithtarë jo vetëm në radhët e pashtunëve, por edhe në radhët e taxhikëve dhe uzbekëve. Ata janë pjesë e popullit, prandaj duhet të zhvillohet dialog me ta. Edhe pse nuk është e sigurt se cili do të jetë epilogu i këtij dialogu", thotë Snegirjov. Pas përvojës së tij në Afganistan, ai është i mendimit se afganëve nuk duhet t'iu imponohen sisteme, të cilat janë të huaja për ta. "Ata nuk dëshirojnë socializëm, nuk dëshirojnë kapitalizëm, dëshirojnë të jetojnë jetët e tyre. Nëse iu ndihmon, si për shembull në edukimin e fëmijëve, atëherë ata e vlerësojnë këtë", shton Snegirjov. Por pse kanë dështuar deri me tani të gjitha perandoritë, të cilat kanë hyrë në Afganistan. Fillimisht britanikët në shekullin e 19-të, më pas Bashkimi Sovjetik në shekullin e 20-të dhe ndoshta sot edhe amerikanët dhe europianët. Shpjegimi i Snegirjovit: "Është në gjakun e afganëve. Ata nuk durojnë të huajt, të cilët vijnë me armë. Ata mbrohen me të gjitha mjetet". Bashkimi Sovjetik ka gabuar ngase ka menduar se çdo gjë do të rridhte si në Hungari, në vitin 1956, apo në Çekosllovaki, në vitin 1968. "Por Afganistani jeton me rregulla të tjera. Nëse të huajt vijnë me para dhe projekte ekonomike, ata mirëpriten. Nëse vjen me armë, ai është armik. Ndoshta i qeshin në fytyrë, por i shkrepin në shpinë", thotë Snegirjov. Përveç kësaj, Afganistani është një shtet me shumë popuj. "Marrëveshja e arritur me pashtunët, nuk pranohet nga taxhikët dhe anasjelltas. Edhe në radhët e pashtunëve ekzistojnë shumë klane, me të cilat është vështirë të arrihet pajtimi", rrëfen Snegirjov. Megjithatë, Snegirjov mbështet qëndrimin e ish-gjeneralit sovjetik, Boris Gromov, i cili është shprehur kundër tërheqjes së forcave të NATO-s nga Afganistani.