Prizren, 31 janar NOA - Në komunën e Prizrenit dhe Lipjanit, në orën shtatë të mëngjesit janë hapur qendrat e votimit, ku do të rivotohet për të tretën herë për pushtetin lokal. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fehmi Ajvazi, tha se në Prizren janë hapur 60 qendra të votimit, kurse në Lipjan 26.
Ai, gjithashtu tha se procesi i votimit po zhvillohet pa probleme. Të drejtë vote në të dy komunat kanë 185,933 votues. Procesin zgjedhor do ta vëzhgojnë 2,811 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në Prizren garojnë Ramadan Muja i Partisë Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.Ndërkaq, në garën për Lipjanin garojnë Shukri Buja nga PDK-ja dhe Imri Ahmeti i LDK-së. Raundi i parë i zgjedhjeve në nëntor të vitit të kaluar i dërgoi në balotazh PDK-në dhe LDK-në. Rivotimi në komunën e Prizrenit dhe të Lipjanit erdhi për shkak të, siç është thënë, disa parregullsive që ndodhën në dy raundet e kaluara të zgjedhjeve. KQZ-ja ka paralajmëruar se rezultati preliminar i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur në orët e para të mëngjesit. /rfe/