Tiranë, 31 janar NOA/UPDATE - Flakët e zjarrit djegin të gjallë në banesë një 65-vjeçar të paralizuar.
Zjarri nisi në orët e para të ditës së sotme në një banesë private pranë shkollës së mesme "Partizani" në Tiranë duke shkrumbuar bashkë me të edhe kryefamiljarin Pajtim Zeqo 65-vjeç.
Burime nga policia thanë se sapo kanë diktuar flakët e zjarrit të cilat përhapeshin me shpejtësi banorët e shtëpisë kanë dalë menjëherë për të shpëtuar.
Shtëpia e përbërë më së shumti prej druri rrezikonte çdo person që afrohej duke bërë të pamundur shpëtimin e kryefamiljarit i cili kërkonte ndihmë nga shtrati në pamundësi për të lëvizur vetë për shkak të sëmundjes së paralizës.
Forca të shumta policie dhe ato të zjarrfikëses e kanë parë të pamundur ndërhyrjen në ambientet e brendshme të banesës për të shpëtuar 65-vjeçarin pasi trarët e shtëpisë lëshoheshin një nga një nga flakët e zjarrit.
Pas shuarjes së zjarrit policia ka gjetur në gërmadha, 65-vjeçarin e shkrumbuar.
Burime nga policia thanë se po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe aktualisht dyshohet për një shkëndijë elektrike.
k.k/NOA