English

Tragjedia në Haiti, kapen 10 amerikanë duke rrëmbyer foshnja

Port o Prince, 31 Janar NOA - Për banorët e Haitit duket se tragjedia e frikshme me afro 200 mijë të vdekur nga tërmeti i fuqishëm i pak javëve më parë, nuk mund të jetë problemi i vetëm, ata duhet të ruhen dhe nga disa amerikanë përfitues që shfrytëzojnë rastin të rrëmbejnë foshnjat.

Policia e Haitit, konfirmoi se ka arrestuar dhjetë shtetas amerikanë, të cilët përpiqeshin të rrëmbenin 33 fëmijë për një skemë ilegale të adoptimit.

Njëri nga të dyshuarit, i cili tha se është kryetar i një organizate humanitare nga Idaho mohoi të kenë bërë çfarëdo gabimi.

Të dyshuarit u arrestuan në Malpase, vendkalimin kryesor të Haitit me Republikën Domenikane, pasi policia kreu një kontroll rutinor në automjetin e tyre.

Ndërkohë, Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara ka ngritur në Haiti një qendër furnizimi me ushqime vetëm për gratë.

Kështu duhet të pengohet që gjatë shpërndarjes së ndihmave ato të shtyhen dhe të nxirren me dhunë jashtë radhës nga burrat.

Në njoftimet e mediave thuhet ndërkohë se ushtria amerikane ka ndërprerë përkohësisht dërgimin e të plagosurve për në SHBA.

Është e paqartë se kush duhet të paguajë për transportin. Sipas të dhënave të fundit si pasojë e tërmetit katastrofal në Haiti kanë humbur jetën 180 mijë njerëz.

KOMENTE