Tiranë, 1 shkurt NOA - "Keqardhje për zëdhënësen e qeverisë dhe qeverinë e Sali Berishës, që e vetmja punë që dinë të bëjnë është të shajnë opozitën dhe qeverisjen vendore të saj në Tiranë dhe jo vetëm".
Kështu e ka nisur reagimin e saj zëdhënësja e bashkisë së Tiranës, Joana Bushi ndaj deklaratës së zëdhënëses së Pd-së Erla Mehilli e cila theksoi sot se zhvillimi i Tiranës do të ecë vetëm nëse largohet kreu i saj Edi Rama.
"Megjithatë, jo për hir të replikës me ata që dinë vetëm të shajnë e të shpifin, por për hir të publikut e të banorëve të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës informon se të ishte për buxhetin e qeverisë, nuk do të kryenim dot as shërbimin e pastrimit e jo më investimet në gjithë Tiranën, ashtu sikundër informojmë se nuk mund të flasë për buxhetin e Tiranës kjo qeveri që po e mbyt biznesin e vogël me taksa e tatime të shumëfishta, për të cilat ne së shpejti do të protestojmë, së bashku me të gjitha bashkitë simotra" tha Bushi e cila shtoi se janë qytetarët e Tiranës që e mbajnë buxhetin e Bashkisë me kontributet e tyre dhe është bashkia që sëbashku me ta po e transformojmë Tiranën në çdo bllok, pavarësisht atyre që qeverisin duke sharë dhe shajnë se s'dinë të qeverisin.
k.k/NOA