English

Bashkohet opozita maqedonase pa partitë opozitare shqiptare

Shkup, 1 shkurt, NOA - Opozita maqedonase e shoqëruar nga një parti minore turke sot do të promovojë platformën e përbashkët për aktivizimin e frontit opozitar, që do të kundërshtojë ashpër politikën aktuale të VMRO-DPMNE-së me në krye kryeministrin Nikolla Gruevski. Në kuadër të këtij fronti opozitar janë lidhur Lidhja Social- Demokrate (LSDM), Partia e Re Social-Demokrate (PRSD) e Tito Petkovskit, Partia Liberale (PL) e Stojan Andovit, Partia e të Gjelbërve (PGJ), Alternativa e Re (AR) e Gjorgji Orovçanecit, Partia Social-Demokrate (PSD) e Lupço Jordanovskit si dhe Partia për Bashkimit Kombëtar të Turqëve (PBKT) e Erdogan Saraçit.

Në konferencën e përbashkët këto parti do të promovojnë strategjinë e përbashkët e cila do të drejtohet kundër pushtetit aktual, por siç bëhet e ditur nga burime brenda LSDM-së, platforma do të ketë si pikësynim gjendjen ekonomike, proceset euro-integruese dhe marrëdhëniet midis komuniteteve etj. Ky front i përbashkët opozitar maqedonas vjen në një periudhë kur janë shtuar zërat për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Asnjë nga partitë shqiptare opozitare nuk i janë bashkuar këtij fronti opozitar dhe se ato nuk kanë dashur të komentojnë këtë bashkim të ri forcash. Mirëpo nga LSDM, kanë theksuar se janë të hapur edhe për partitë shqiptare si PDSH, DR dhe partitë e tjera, me qëllim të zgjerimit të presioneve dhe politikës kundër politikave antiqeveritare.

Frontit opozitar nuk i është bashkuar edhe Partia Liberal-Demokrate e Jovan Manasievskit por edhe partia Të Bashkuar për Maqedoninë e Lube Boshkovskit.

NOA-INA

KOMENTE