Tiranë, 1 shkurt NOA - Kryeministri, Sali Berisha priti sot në një takim drejtorin e ri të USAID në Tiranë, Joseph C. Williams, me rastin e emërimit të tij në këtë detyrë, i shoqëruar nga Deborah Jones, zëvendësambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për kontributin e madh të USAID në Shqipëri dhe mbështetjen e dhënë në disa sektorë thelbësorë për Shqipërinë dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe konsolidohet më tej edhe me Z. Williams.
"USAID ka mbështetur fuqimisht reformat tona në ngritjen e një sistemi të Qeverisjes elektronike si Taksave elektronike, prokurimeve, regjistrimit të bizneseve, një reformë kjo shumë efikase në rritjen e transparencës dhe luftën ndaj Korrupsionit" theksoi kryeministri Berisha.
Z.Williams nga ana e tij theksoi se Shqipëria ka arritur rekorde në vendosjen e sistemeve elektronike, si dhe në shkallën me të cilën ka penetruar sistemi i teknologjisë së Informacionit në administratën publike, por edhe në Arsim.
Lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm, Kryeministri theksoi se në fokusin e qeverisë mbetet Lufta ndaj Korrupsionit në funksion të së cilës është ndërmarrë edhe Reforma e Moshës Digitale dhe për këtë kërkoi mbështetjen e USAID si edhe në rritjen e partneritetit Publik -Privat.
Gjithashtu Kryeministri theksoi se prioritet madhor mbetet reforma në Shëndetësi, e cila do ta zbatohet me vendosmëri pavarësisht kostos që do të ketë kjo reformë.
k.k/NOA