English

Forcohen valutat në treg, dollari arrin 100 lekë

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 1 shkurt NOA - Valutat kryesore kanë arritur një nivel të ri në këmbimin me lekun vendas, një dollarë amerikan, pas disa vitesh ka arritur vlerën më të lartë duke u këmbyer me mbi 100 lekë, ndërsa monedha evropiane ka arritur pranë kufirit 140 lekë.

Për ish ministrin e ekonomisë Anastas Angjeli kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së valutës në treg, pasi emigrantët nuk po sjellin më euro, investimet e huaja kanë rënë, eksportet pësuan rënie për shkak edhe të krizës ekonomike.

Por ajo çfarë parashikohet është që ky forcim i valutave do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Ky fakt është një dëshmi që ekonomia ndodhet në vështirësi serioze.

Ajo çfarë debatohet më së shumti mes ekspertëve është gjetja e një skeme të re të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Duke vijuar më tej me argumentet e tij, z.Angjeli thotë se qeveria duhet të heqë dorë nga shpenzimet e saj elektorale duke ruajtur financat publike. Sipas tij, një nga mekanizmat është që Banka e Shqipërisë të vijojë me një politikë monetare më fleksibël, duke nënkuptuar një ulje të mëtejshme të kostos së parasë.

Qeveria ka parashikuar që të marrë 300 milion euro borxh, nga të cilat 100 prej tyre do t'i hedhë në treg për investime publike. Ky fakt pritet të ndikojë në një stabilizim të kursit të këmbimit, euro-lekë.

r.l/NOA

KOMENTE