Tiranë, 1 shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha i ka dhënë fund debatit mbi kompetencat e institucionit të ri që do të mbrojë qytetarët nga diskriminimi, bazuar në projektligjin e ri që pritet të miratohet në kuvendin e Shqipërisë.
Në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha ia ka dhënë këtë rol avokatit të popullit duke shpërfillur në këtë mënyrë kërkesën e shoqërisë civile për të krijuar një institucion të pavarur.
Por për të marrë këtë rol, duhet ndryshuar ligji mbi funksionimin dhe rolin e avokatit të popullit. Duke qenë se ligji kërkon shumicë cilësuese të deputetëve, 3 të pestat e tij, për ndryshimet ligjore, Berisha ka shmangur parlamentin duke ia kaluar këtë kompetencë një grupi të veçantë pune të varur nga kuvendi.
Gjatë mbledhjes së dy komisioneve kuvendore, atij të integrimit dhe punës e çështjeve sociale, shoqëria civile u përplas me avokatin e popullit duke kundërshtuar propozimin e Dobjanit për të rrëmbyer kompetencën e komisionerit që do të mbrojë çështjet e diskriminimit.
Sipas OJF, komisioneri është përcaktuar dhe në rekomandimet e BE për Shqipërinë.
b.m/NOA