Tiranë, 1 shkurt, NOA - Në momentet kur banorët e Vidohovës kanë nisur të shfaqin pakënaqësinë e tyre për moskapjen ende të autorit të masakrës që ndodhi në këtë fshat pak ditë më parë, policia ka vendosur të akordojë një shpërblim për personin që do japë informacion rreth vendodhjes së tij.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të Korçës, sipas të cilave shuma e vënë në dispozicion të informatorit për gjetjen e vrasësit do të jetë 30 mijë euro.
Në këtë mënyrë, policia mendon se mund të ndihmojë me një masë të tillë për kapjen sa më parë të Besim Karajt, autorit të masakrës ku mbetën të vrarë tre vëllezër në Vidohovë të Devollit.
Kjo edhe pasi të afërmit e tre vëllezërve, por edhe të gjithë banorët e fshatit Vidohovë kanë nisur të protestojnë kundër policisë, e cila sipas tyre ende po e lë të lirë autorin dhe se ata kanë frikë nga një gjë e tillë, duke parë se çfarë ishte në gjendje të bënte ai.
n.e/NOA