English

Masakra e Vidohovës, hetohet indiferenca e policisë ndaj të dyshuarit

REPORTAZH - Masakra e Devollit, si nisi prej 2 muajsh

Tiranë, 1 Shkurt NOA - Masakra e Vidohovës në të cilën humbën jetën tre vëllezër, ishte një krim që sipas babait të viktimave ishte paralajmëruar nga autori i dyshuar që u kap sot, ndaj policia shpalli zyrtarisht nisjen e hetimeve.

Xhevahir Mulliri tha dy ditë më parë se "Besim Karaj kishte nisur kërcënimet ndaj tij dhe fëmijëve, haptazi dhe kudo e kishte përhapur fjalën se do të na zhdukte të gjithëve si fis".

"Për të shmangur një gjakderdhje, mora në telefon shefin e krimeve në komisariat dhe i thashë se Besim Karaj është i armatosur dhe po na kërcënon me automatik në dorë, por shefi i krimeve më tha se duhet të shkoja në komisariat të bëja denoncim", - tregoi

Xhevahiri duke përmendur një rast të disa ditëve para masakrës së djeshme, kur sipas tij, u kërcënua për të disatën herë me jetë, nga Besim Karaj.

Lidhur me këto pohime dhe akuzën e bërë nga babai i tre vëllezërve të vrarë në qarkun e Korçës për shefin e krimeve që është një nga punonjësit e Policisë së Korçës, z. Kuliçaj konfirmoi se "Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria do ta hetojnë këtë rast dhe pretendimin e babait të viktimave".

Ngjarja ndodhi rreth orës 12.30 të 29 janarit në fshatin Vidohovë, komuna Miras të rrethit Devoll, kur Besim Hamit Karaj, 40 vjeç, lindur në Thumanë Krujë dhe banues në fshatin Vidohovë, i dënuar më parë, për motive xhelozie ka vrarë me armë zjarri tre vëllezërit Taulant Xhevahir Mulliri, 23 vjeç, Xhilian Xhevahir Mulliri 26 vjeç dhe Etlevan Xhevahir Mulliri 18 vjeçar, që të gjithë banues të fshatit Vidohovë të rrethit Devoll.

Për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje u bashkëpunua më disa Drejtori të Policive në Qarqe si dhe më Autoritetet Policorë Greke, pasi kishte informacione se autori mund të ishte larguar në drejtim të shtetit Grek.

Gjithashtu për kapjen e tij u organizuan operacione më pjesëmarrjen e forcave speciale të Repartit "RENEA".

Si rezultat i këtyre veprimeve policore sot u bë e mundur që Besim Karaj të kapet në vendbanimin e tij në Komunën Thumanë të Rrethit Krujë si dhe t'i sekuestrohet arma e krimit automatik model 56.

Në lidhje me ngjarjet, Kuliçaj u pyet nëse ka patur mundësi Policia e Shtetit për të parandaluar ngjarje të tilla dhe a do të merren masa konkrete për efektivë policie të cilët nuk kanë vepruar në kohën e duhur.

Z.Kuliçaj tha se ngjarja e Vidohovës është e hapur, e kryer në mesditë, në mes të fshatit dhe në tërësi veprimet ishin të hapura dhe ngjarja është e dokumentuar".

Kurse komentoi dhe faktin se autori i dyshuar i vrasjes së trefishtë ishte person me precedentë të mëparshëm penalë: "Është e natyrshme që pikërisht persona me precedentë penalë të jenë të përfshirë në këto ngjarje, pasi qytetarë të thjeshtë që bëjnë një jetë normale nuk ka sesi të përfshihen në ngjarje të tilla kaq të rënda".

a.f/e.n/NOA

KOMENTE