Tiranë, 1 shkurt NOA - Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit njoftoi sot se gjatë ditës së djeshme dhe gjate natës, në pjesën veriore, veri-lindore dhe lindore ka pasur reshje të dendura dëbore, që herë pas here ka shkaktuar bllokim të përkohshëm të rrugës.
Sipas MPPTT është punuar gjatë gjithë kohës për zhbllokimin e rrugëve problematike.
"Aktualisht është i bllokuar segmenti Fushë Arrëz-Iballë, Kukës-Shishtavec, kilometri i 11 ka pasur shembje të skarpatës, që ka shkaktuar bllokimin e rrugës për një orë.
Në Kurbnesh-Lurë bora ka arritur deri në 1 metër, segmenti është i bllokuar, ndërsa janë dërguar mjete për të zhbllokuar rrugën. Qafë Dregalicë-Steblevë është i bllokuar (vazhdim i aksit Librazhd - Peshkopi).
Librazhd - Steblevë, pjesërisht i bllokuar dhe trashësia e dëborës ka arritur në 1 metër.
Berat-Çorovode, janë aktivizuar 10 shkarje. Rruga funksionon me një kalim dhe për momentin kalohet me zinxhirë në akset rruga e Dardhës, në të gjithë aksin Klos - Peshkopi dhe Komuna Dajt - Qafë Mollë" thuhej në deklaratën e MPPTT-së lëshuar mesditën e sotme.
k.k/NOA