Tiranë, 1 shkurt NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot para mediave se mazhoranca po degradon krizën politike në vend duke refuzuar rekomandimet e KiE-së.
"Rezoluta 1709 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për "Funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri" certifikoi ndërkombëtarisht detyrimin e hetimit parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit si e vetmja zgjidhje për krizën e thellë politike në Shqipëri.
Kjo rezolutë është ushtrim i kompetencave dhe angazhimeve të Këshillit të Europës siç edhe parashikohet në Statutin e tij, ndërsa respektimi i rekomandimeve që burojnë nga rezoluta është një detyrim i pakthyeshëm për Shqipërinë si një vend anëtar i Këshillit të Evropës.
Partia Socialiste mbështet plotësisht këtë rezolutë dhe shpreh gatishmërinë për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kjo rezolutë" tha Balla.
Sipas tij zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit përmes hetimit të plotë parlamentar, nuk është më thjesht dhe vetëm kërkesa e Partisë Socialiste, popullit opozitar apo dhe e disa partnerëve ndërkombëtarë por kjo kërkesë, e shprehur në rezolutën e Këshillit të Europës, është tashme një detyrim që buron nga statusi i Shqipërisë si vend anëtar i KE, detyrim me të cilin Sali Berisha nuk mund as ta luajë, as ta anashkalojë.
Balla sqaroi se miratimi i rezolutës në Këshillin e Europës, nxori në pah dy elementë të rëndësishëm, të cilët Sali Berisha, me kokëfortësi, për muaj me radhë, refuzonte t'i pranonte.
Të dyja elementët sipas deputetit socialist, kanë lidhje me njëri-tjetrës.
"Së pari, Shqipëria gjendet në krizë politike, e cila duhet zgjidhur sa më parë dhe së dyti, zgjidhja e krizës vjen përmes hetimit të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Partia Socialiste është e gatshme të përmbushë detyrimet e saj që lindin nga rezoluta e Këshillit të Europës por fatkeqësisht, mazhoranca po heziton.
Refuzimi i mazhorancës për të adresuar kërkesat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës po degradon krizën" tha Balla.
k.k/NOA