English

Rregullat për bankat sjellin diskutime në Davos

Bankierët kishin një mision të qartë në Davos: të krijonin një front të përbashkët kundër futjes së shumë rregullave për bankat. Por ata me siguri që e arritën këtë në mënyrë të kufizuar

Davos, 1 shkurt - Davos, klubi më i shtrenjtë i debateve në botë- shumë fjalë, asnjë rezultat. Kjo është që ndodh zakonisht në vendin elitar të Zvicrës.

Por ata që quhen bankierë dhe që morën këtë vit rrugën për në Davos, këtë herë kishin një mision të qartë: të krijonin një front të përbashkët kundër rregullave të rrepta për bankat. Thuajse në të gjitha forumet, ku ndodheshin bankierë, kjo temë nuk mungoi dhe emëruesi ishte i përbashkët:

"Ne nuk besojmë se është punë e mençur, që të paraqesim gjithmonë ide të reja për rregullim, për vendosje taksash të reja, për propozime të reja, sepse kjo e shton pasigurinë dhe e pengon stabilizimin e sektorit financiar".

Bankierët druhen se deklaratat e Obamas do të pasohen nga ligje

Me këtë, shefi i Deutsche Bank-ës, Joseph Ackermann ka parasysh njeriun, i cili nuk qe fare i detyruar të vinte në Davos, për ta dominuar këtë forum ekonomik: Barak Obaman. Para më shumë se një jave, presidenti i SHBA guxoi si kryetari i parë i një shteti të paraqesë një koncept radikal për rregullimin e botës financiare.

bama synon t'i ndajë bankat e mëdha dhe t'ua ndalojë atyre bizneset e leverdisshme me mendjen e tyre. Këtë herë, bankierët druhen se deklaratat do të pasohen nga ligje.

Dhe kështu ata u përpoqën në Davos të ndalojnë atë, që për mendimin e tyre do të ishte më e keqja - në biseda të shumta prapa perdeve me politikanë të ekonomisë dhe të financave. Për t'i shpëtuar zvogëlimit të detyrueshëm, për të cilin kanë frikë, bankierët janë madje të gatshëm të bëjnë lëshime të pazakonshme:

"Banka dhe politikanë, ne tani jemi të një mendimi, se duhet të ndërmarrim hapa për ngritjen e një fondi sigurie për bankat në nivel nacional ose evropian. Dhe ne jemi të gatshëm të flasim edhe njëherë për pagat e menaxherëve. Strukturën ne e ndryshuam, por shumën maksimale jo - për këtë do të punojmë në industri".

Qeveritë jo të një mendjeje për rregullimin e bankave

Por brenda për brenda bankierët nuk janë aspak kaq të një mendimi, siç sugjeron Joseph Ackermann-i. Edhe kjo u bë e qartë në Davos: disa banka të mëdha amerikane të investimeve duan të luftojnë me çdo mjet kundër çdo kufizimi të mëtejshëm të mundësive të tyre.

Disa banka evropiane kanë kohë që kanë hequr dorë nga rezistenca.

Dhe këto mosdakordime ekzistojnë edhe te qeveritë e botës: a duhet të ketë për rregullimin e bankave në të gjithë botën rregulla të përgjithshme? Apo mjafton kur çdo shtet ndërmerr diçka? Edhe për këtë në Davos u debatua dendur.

Mbajtësi i Çmimit Nobel për Ekonominë, Joseph Stieglitz ka një pikëpamje të qartë:

"Mund të thuash se një marrëveshje globale do të ishte më e mirë, por droja ime është: atëherë amerikanët do të thonë, tani duhet të fillojnë evropianët, evropianët thonë, tani e kanë radhën amerikanët. Bankierët mezi i presin skena të tilla! Sepse e dinë, të dyja palët nuk do të bien kurrë dakord, kurrë nuk do të ketë rregullime. Prandaj ne duhet ta nisim punën në nivel kombëtar. Çdo shtet ka përgjegjësi për t'i mbrojtur qytetarët dhe ekonominë e tij".

Kjo në një kohë kur bëhet fjalë për shumë më tepër se për bankat. Bëhet fjalë jo më pak se për mënyrën si bëjmë ne ekonomi. Burri për këto fjalë shumë të mëdha ishte në Davos, Nicolas Sarkozy. Ai nuk kërkoi më pak se kthimin e moralit në sistemin tonë ekonomik:

"Nuk bëhet fjalë që ne ta eliminojmë kapitalizmin, ajo që diskutohet është se cilin kapitalizëm duam ne. Ne po përjetojmë një degjenerim të kapitalizmit. Kapitalizmi bazohet në vlera. Kapitalizmi financiar është një varietet që i shkel me këmbë vlerat e kapitalizmit". /dw

KOMENTE