Tiranë, 1 shkurt NOA - Përfundon në qeli autori i dyshuar i vrasjes së 31-vjeçarit Armando Hasani.
Forca të shumta të policisë së Tiranës për gjatë gjithë mbrëmjes së të dielës u angazhua për identifikimin dhe arrestimin e autorit të krimit që tronditi dje pasdite kryeqytetin.
Pas disa orë kërkimesh policia mundi të prangoste autorin e vrasjes i cili dyshohet të jetë Albert Gashi 35-vjeç.
Gashi dyshohet se i ka zënë pritë dje rreth orës 17:30, 31-vjeçarit Armando Hasani në rrugën e "Porcelanit" në afërsi të ish Profarmës në Tiranë, me qëllim ekzekutimin e tij.
Sapo ka parë Hasanin, autori ka zbrazur mbi të një mori plumbash duke e lënë të vdekur në vend.
Policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti menjëherë për të sqaruar rrethanat e krimit.
Pas hetimeve të para policia identifikoi autorin e dyshuar të vrasjes i cili u kap në mesnatë, në një banesë në afërsi të Kinostudios në Tiranë. Burime zyrtare nga policia thanë se dyshohet që, motiv i kësaj ngjarje të jetë një konflikt familjar, mbi lidhjen martesore të viktimës, i cili kishte për bashkëshorte mbesën e autorit.
Policia sekuestroi armën e krimit ndërsa i komunikoi 35-vjeçarit arrestimin për veprat penale të "Vrasjes me dashje" dhe të "Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake".
k.k/NOA