English

"Acari 2010", lirohen nga prostitucioni 80 femra

Prishtinë, 2 shkurt NOA - Policia e Kosovës, pas një operacioni, i cili ka përfshirë të gjitha drejtorit rajonale, ka arrestuar disa personave për trafikim me qenie njerëzore, kurse ka mbyllur 21 lokale, duke zbuluar dhe liruar nga prostitucioni edhe 80 femra. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani tha se në kuadër të operacionit të koduar me emrin "Acari 2010", janë kontrolluar 40 lokale: "Janë kontrolluar 206 persona, prej tyre janë arrestuar pesë, tre për mundësim të prostitucionit, ndërsa dy për armëmbajtje pa leje".

"Më shumë se 80 femra të dyshuara si viktima të prostitucionit janë evidentuar gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës, në më shumë së 40 lokale të natës nëpër gjithë Kosovën", - tha Kelani për mediat në Prishtinë. Goditja e policisë ndaj këtij rrjeti trafikantësh ka pasuar me arrestimin e pesë persona të dyshuar, bëri të ditur Baki Kelani. Aksioni i koduar me emrin "Acari 2010", i cili ka nisur dje në mbrëmje, është përgatitur nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar, respektivisht Sektori për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore (SHTQNJ). Plani policor është zbatuar njëkohësisht në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në plan kanë qenë të përfshirë përveç SHTQNJ edhe të gjitha Njësitë Rajonale Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Njësitë Mbështetëse Operative nga 6 Drejtoritë Rajonale të Policisë si dhe inspektorët komunalë. Qëllimi i operacionit ka qenë kontrollimi i lokaleve/bareve në të cilat punojnë femra që dyshohet të ketë viktimizim të tyre, trafikim me njerëz si dhe forma të tjera të trafikimit, e sidomos forma e shfrytëzimit për qëllim të prostitucionit, thekson policia. Inspektorët komunalë kanë bërë kontrollime dhe inspektime në baret dhe lokalet, duke u mbështetur edhe në informatat se pronarët e këtyre lokaleve nuk i respektojnë procedurat dhe rregullat ligjore mbi kontratat e punëtorëve, kushtet e punës dhe gjendjen sanitare. Bazuar në shkeljet e gjetura, inspektorët kanë mbyllur 21 lokale. Operacioni ka zgjatur rreth 4 orë dhe ka përfunduar në orët e para të ditës së sotme. Më së shumti lokale janë kontrolluar në Ferizaj, gjithsej 10. Në këtë rajon janë mbyllur 6 lokale dhe janë intervistuar 32 femra/ viktima potenciale.

Njësiti kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore tha se së bashku me Inspektorët Komunal dhe në mbështetje të Njësisë Speciale - Ferizaj, kanë bërë kontrollimin e disa objekteve hoteliere në Ferizaj.

Gjatë kontrollimit në Motel Restorant "Lausanne" në rrugën "Rexhep Bislimi" - Ferizaj janë arrestuar dy femra shtetase të Moldavisë 33 dhe 32 vjeçare) dhe një mashkull shqiptar 40 vjeçar të cilët dyshohen se kanë krye vepra penale (Marrje me prostitucion dhe mundësim i prostitucionit.

Pas intervistimit në konsultim me Prokurorin e Prokurorisë së Qarkut-Prishtinë të dyshuarit dërgohen në mbajtje. Nga ana e Inspektorëve Komunal, pas kontrollimit edhe të disa objekteve tjera janë mbyllur 6 lokale.

Në Prizren janë kontrolluar 8 lokale, janë mbyllur 4 sosh, ndërsa janë intervistuar 14 femra.

Në Gjilan, janë mbyllur 3 lokale dhe janë intervistuar 13 femra. Kurse në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës janë mbyllur 12 lokale dhe janë intervistuar 21 femra. Gjatë aksionit 4-orësh janë kontrolluar gjithsej 206 klientë të gjendur në atë moment në lokal.

a.b/e.n/NOA

KOMENTE