Kukës, 2 shkurt, NOA - Pasi i ka shfrytëzuar në mënyrë sistematike për prostitucion në hotele të ndryshme të Tiranës, tutori i dy vajzave të reja ka tentuar t'i trafikojë ato në drejtim të Kosovës, sërish për qëllime prostitucioni.
Por nuk ka mundur ta realizojë dot këtë qëllim, pasi është arrestuar në flagrancë në kuadrin e operacionit policor "Tërthorja".
Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore, sipas të cilave i ndaluari është Përparim Kaçi, vjeç 41, banues në fshatin Domje të Tiranës, ndërsa dy vajzat e shfrytëzuara prej tij janë përkatësisht E.S, 18 vjeç dhe M.M, 22 vjeç.
Mësohet më tej se tutori 41-vjeçar është kapur në flagrancë në pikën e kalimit kufitar të Morinës, në momentin që po përpiqej t'i trafikonte dy vajzat e lartpërmendura.
Nga hetimet e deritanishme është bërë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për dokumentimin në tërësi të aktivitetit kriminal të këtij personi, i cili akuzohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 114 /a dhe 114/b të Kodit Penal.
n.e/NOA