English

Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë

(Quod non feccerunt Barbari feccerunt Barbarini)

Refleksione rreth librit të Dr. Pjetër Pepës: "DOSJA E DIKTATURËS" ("The Criminal File Of Albania's Comunist Dictator"), Ribotim i plotësuar me dokumente të reja, Tiranë, 2009

Nga Nju Jorku, Klajd Kapinova*

Nju Jork 2 Shkurt NOA -

"Kur një shkrimtar e qortuan, se kishte marrë një skenë nga tragjedia e dikujt, ai u përgjigj: Ishte një vajzë, që e largova nga shoqëria e keqe, për t'a dërguar tek një më e mirë. Mora dhe unë dëshmi e fakte, deklarata e këshilla, mendime e thënie proverbiale, nga dijetarë e profetë, filozofë e martirë e si lule të bukura i grumbullova dhe i thura në kete "kurore", që si këngë e mjelmës, vepër e parë dhe e fundit, ia kushtova dhëmbjes shqiptare."

Dr. Pjetër Pepa

Ish Ambasador i Shqipërisë së Selinë e Shenjtë në Vatikan

Me këtë hyrje, autori në vitin 1995, plot 15 vjet më parë, boton librin: "Dosja e Diktaturës", një ndër veprat më të bukura dhe të sukseshme për lexuesit shqiptarë në vendlindje dhe diasporë. Në mënyrë sintetike dhe dokumente origjinale arkivore, studiuesi i palodhur dhe skrupoloz Dr. Pjetër Pepa, na jep me fakte tronditëse historinë e martirizimit të bijve më të mirë të të popullit shqiptar dhe përmes dosjeve të pafund të fakteve autentike peshën e madhe të pasqyrimit të diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, prej viteve 1944-1990.

Për këtë vepër, ambasadori italian në Shqipëri i asaj periudhe, diplomati Paolo Foresti, do të shkruante:

"…Ky libër, është një deshmi e mrekullueshme mbi një nga çastet më tragjike të jetuara nga Shqipëria gjatë diktaturës enveriste. Për të gjithë ata, që pyesin si nuk u revoltuan shqiptarët ndaj një rregjimi kaq përvers, shifrat e këtij gjenocidi të dokumentuar në faqet e këtij libri mbetën përgjigja më bindëse….".

Ndërsa Kardinal i Parë në trojet etnike shqiptare, Imzot Mikel Koliqit (1902-1997), do të shkruante:

"Të lumtë! Një meritim i madh për të mbetë në histori. Populli, që vjen mbas nesh, ka për të pa me dokumenta ç'ka asht ba në vendin tonë. Në veçanti Mons. Gjini, ka kenë një figurë e shqueme. Ngjarjet i kam ndjeke nga burgu dhe me pikëllim thojsha: A do të vinte ajo ditë, që të dalë pafajësia e atyne njerëzve fatkeq!?. Tash po vdes kondend, se e pashë me sytë e mi, që ti e bane këtë me librin tënd."

"Në kohë mllefesh dhe inatesh"- do të shkruante, po për këtë vepër Mandela i shqiptarëve, Kryetari i Kuvendit Popullor, shkrimtari Pjetër Arbnori, është fisnikëri të zbulosh të vërtetën, për martirët dhe viktimat e rena nën kosën e diktaturës. Studiesi pasionant Dr. Pjetër Pepa, me punën e tij shkencore dhe voluminoze, ka bërë një punim serioz, që duhet marrë si shembull nga historianët, që punojnë të ndriçuar nga faktet dhe liria."

Ky libër, që u prit aq mirë nga lexuesi, pothuajse u zhduk (ble) menjëherë nga vitrinat e librarive edhe pse qe nga viti i botimit, 1995, ai do të botohej i përkthyer italisht me titullin: "Paggine sulla dittatura -Terlizzi 1998", dhe në anglisht, me titullin: "The Criminal File Of Albania's Comunist Dictator" - në vitin 2003.

Duke e mbyllur librin me ngjarjet tronditëse të 2 Prillit 1991, në qytetin e tij të lindjes (Shkodër), në paragrafin e tij të fundit autori, do të shkruante:

"Eshte ky "post - scriptumi", i birit tënd, që nesër për të vërtetën, që rrëfeu mund të përfundojë në një tufë lulesh …".

Por jo. Ishte premtuar që të ndodhte ndryshe. Hulumtuesi Dr. Pjeter Pepa, mbasi kalonte disa vite në politikën shqiptare (deputet i Kuvendit Popullor), pak kohë në diplomacinë shqiptare (ambasador pranë Selisë së Shenjtë), e më pas në profesion të lirë e pedagogjik, nuk do të ndahej nga shkrimet në organet e ndryshme të shtypit dhe internet dhe botimet, qofshin ato kulturore, politike apo shkencore.

Një tjetër vepër madhore kuptimplote dhe shumë e mirë është: "Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike në Shqiperi" (2007), ku mbas dhjetë vitësh hulumtime e kërkime në arkivat e të gjitha niveleve brënda e jashtë vendit, në dy vëllime, me rreth 1500 faqe, paraqet denjësisht gjithe atë gjenocid, që pësoi Kleri e Kisha katolike në Shqipëri, gjatë 50 viteve të diktaturës ateiste komuniste.

Ndërsa "Dosja e Diktatures", iu dorezua Papa Gjon Palit II, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale dhe Nene Terezës, me rastin e ngjarjeve tragjike të vitit 1997 në Shqiperi, ky dy-vellimesh i vyer, që tashmë i kushtohet pikërisht këtyre dy figurave madhore, për Vatikanin e Botën, të Lumturve Papa Gjon Pali II dhe Nënës Tereze, i dorëzohet në vitin 2009 Papa Benediktit XVI, në Shjeshin e Shën Pjetrit.

Ja tashti, në fundvitin 2009, studiuesi i palodhur Dr. Pjetër Pepa, rishfaqet mbas 15 vjetesh, me ribotimin e veprës: "Dosja e Diktaturës", e plotesuar dhe përmirësuar në cilësi dhe përmbajtje, duke shtuar në vepër edhe pjesën e dytë, në paraqitjen e së cilës shkruan:

"Plot 15 vjet më parë, fillova të qemtoj ndër arkiva dhe të mbledh materiale historike, për tubime përkujtimore, që çuan shpejt në një libër, që me sugjerimin miqësor të një poeti (Visar Zhitit), mori titullin: "Dosja e Diktatures", që u pëlqye dhe më përgëzuan gjithandej.

E thashë, që në fillim, se ajo që permblodha nuk ishte veçse maja e një "ajzbergu" të asaj diktature. Mblodha me vonë dhe botova tjera materiale dhe pas 15 vjetesh, tashti qe po behet ribotimi i "Dosjes", mendova të fus edhe diçka, që u mblodh e u shkrua gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare. Pra, të bëhet një dalje përtej asaj periudhe 15 vjeçare, te behet një kalim i shpejtë nëpër tjera raste të dhimbshme e tragjike, që pesuan fatkeqet e pafajshem gjate asaj diktature te zeze. Rastet qe shtohen tashme në pjesën e dyte, i përkasin shtrirjes kohore disa vjeçare dhe kanë kryesisht figura të shquara klerikësh e intelektualësh.

Shpresojmë, që kjo t'i ketë shtuar diçka me vlerë "Dosjes së Diktaturës", që u prit kaq mirë nga lexuesi i parë. Urojmë të ja kem arritur qëllimit."

Pas kësaj hyrjeje të pjesës së dytë, futemi sërish në "qeli e burgje", për të vuajtur më të pafajshmit, që torturohen e vriten barbarisht jo nga të huajt, por nga vetë shqiptarët, duke aplikuar mjerisht atë thënien lapidare: "Quod non feccerunt Barbari feccerunt Barbarini.." (Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë) dhe, sërish edhe në këtë pjesë, lexuesi tronditet kur në copëza të shkurta e konçize lexon e jeton çaste të dhimbshme, për të gjithë ata, posaçërisht klerikë, që vuajtën, u torturuan e vdiqën nën egërsinë e një diktature të paprecedent.

Cilët janë disa nga temat e librit?

Lexuesi, menjëherë do të përballet me tituj tronditës si: "Kleriku që e hëngrën qentë e Sh'Palit, Mirditë - Dom Mark Gjani", "Visaret e Kombit të përgjakur nga diktatura - At Bernardin Palaj", "Bab e Bir të denjë për njeri - tjetrin - Hafiz Ali Kraja (Tari) e Mehdi Kraja", "Si e pushkatuan në Permet meshtarin e ri - Dom Dede Maçaj", "Si u vra i katerti i universit Gazullian - Dom Nikoll Gazulli", "Ikja nga Ferri i pushkatimeve - Imz. Zef Shestani, Imz. Frano Karma, Imz. Zef Oroshi etj. Sërisht vijojnë momentet e ankthit, tek lexon si: "Vdiq apo e helmuan oratorin e sapo shuguruar - D. Matish Lisna", "Kardinali fatkeq shqiptar - Dom Kolec Prendushi", "Martirët e Revolucionit famkeq kulturor - Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Shtjefën Kurti. "

"Nga altari tek morgu i studentëve të mjekësisë - fati tragjik i një kleriku - Dom Mikel Beltoja."

"Meshtari që dihej si i vdekur - At Anton Luli"

"Recquiem për autorin e këngës ‘Kacurrelat e tu' - seminaristin Gac Çuni."

"Si u mbyt në tortura Dom Engjell Deda?"

"Si u pushkatua Imzoti më i ri i botës - Imzot Gjergj Volaj."

"Si u pushkatuan misionarët gjerman - Dom Alfons Tracki e Dom Zef Marksen."

"Odiseja e klerikut patriot nga Mirdita - Dom Nikoll Kimza."

"Funerali që solli shumë viktima - Imz. Gasper Thaëi."

"Kleriku i parë martir nga Korça - At Papa Pandi."

"Meshtari që u detyrua të ndërpresë rrugën meshtarake - At Petraq Isaku."

"Si vdiq në tortura i pari ipeshkëv katolik - Imzot Frano Gjuraj."

"Të mbyturit ndër tortura - në Koplik, Dom Aleksandër Sirdani e Dom Pjetër Çuni; neë Lezhë: At Serafin Koda, D.omJak Bushati etj."

"Kleriku i parë martir i diktaturës komuniste - At Lekë Luli"

"Si e vranë regjentin - P. Anton Harapi."

"Klerikët shqiptare nën plumbat e komunistëve jugosllavë - At Leonard Tagaj, At. Bernardin Llupi, Dom Nikoll Tusha."

"U mbyt baltërave të Maliqit - At Josif Papamihajli."

"Si e vranë kolegun - Dom Luigj Pici etj…"

Libri mbyllet me materialin historik, që i kushtohet "Gjenocidit komunist mbi Klerin katolik ne Shqipëri", ku ndër të tjera autori paraqet që në hyrje sakrificën e tyre me fjalet: "Ata bënë nëntë shekuj shkollim të lartë në pesëdhjetëpesë universitete të dhjetë shteteve të botës për Atdheun e tyre. Ata u shpërblyen me pesëmbëdhjetë shekuj torturë, hetuesi e burgje nga Atdheu i tyre!"

Më poshtë, me dokumente e fakte rrënqethëse diplomati studiues Dr. Pjetër Pepa, rrëfen se çfarë ndodhi me Klerin Katolik në Shqipëri, duke paraqitur një tabelë shumë të shkurtë, por tepër domethënëse:

Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë, rezulton se:

1. Janë pushkatuar 29 klerikë (13%)

2. Janë mbytur ndër tortura 29 klerikë (13%)

3. Janë burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%)

4. Kaluar ndër kriza mendore deri në çmendi 6 klerikë (3%)

5. Janë detyruar të arratisën ose s'janë lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%)

6. Janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%)

7. Kanë vdekur në ankth e dhimbje pjesa e mbetur 15 klerikë (7%)

Këto dhe shumë si këto, veç sa tjerash, si: replika politike me Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën, politikanë të kohës etj., lexuesi do të ketë mundësi t'i lexojë tashmë në faqet e " Dosjës " së ribotuar.

Janë rreth 500 faqe dhimbje e sakrifice, vuajtje e gjakderdhje, hetime e tortura, dënime e pushkatime të shkruara me një ndjenjë të veçantë dashurie e faljeje kristiane, që hulumtuesi Dr. Pepa reflekton, në çdo faqe e në çdo figurë të përshkruar.

Lexuesi mund te mësoje me dhimbje e dashuri këtë libër, që sapo ribotohet me materiale, që dalin nga arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (Sigurimi të Shtetit ose Policisë Sekrete të Shqipërisë) e shumë burime tjera arkivore brenda e jashtë vendit.

Në mbyllje, libri paraqet disa nga opinionet e falënderimet, që i kanë ardhur autorit, mbas botimit të "Dosjës" së parë nga qytetarët shqiptarë brenda e jashtë atdheut, por edhe prej ambasadorëve të vendeve të tjera të botës, titullarë të Selisë së Shenjtë në Vatikan etj.

Një kopertinë e bukur e mjaft domethënëse e përpunuar nga piktori i talentuar Jozef Martini, dhe nje biografi e shkurtë e autorit që shoqëron këtë vepër.

Ribotimi i këtij libri, u mundësua nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve dhe botohet nën kujdesin e Shtëpisë Botuese "Kumi".

Uroj dhe shpresoj, që lexuesi ta ketë sa më parë në dorë "Dosjen e diktaturës".

Kush është studiuesi Dr. Pjetër Pepa?

Dr. Pjetër Pepa (1942), lindi në qytetin e Shkodrës, ku, kreu mësimet fillore e të mesme. Në vitet 1960 - 1965, kryen me rezultate të larta Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Emrohet mjek stomatolog, në Klinikën e qytetit të Shkodrës.

Falë pasionit për mjekësinë, merr pjesë aktive, në sesionet e para shkencore në shkallë vendi, që zhvillohen në vitin 1967, në vendlindje e rrethet të tjera të Shqipërisë, sidomos ato të Fakultetit në kryeqytet.

Në vitet 1969 - 70, shërben në lokalitetin e thellë malor të Dukagjinit, ku, vijon të mbledhë materiale e botojë tema shkencore, përkthime e botime të ndryshme. Gjatë vitit 1974, specializohet pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Jep provimet pasuniversitare, në gjuhët italisht, frëngjisht, rusisht etj.

Më vonë, përvetëson gjuhën gjermane. Pengohet, për motive politike, të mbrojë disertacionin, për gradën Doktor i shkencave, të cilën e merr në vitin 1992, me temën: "Epidemiologjia e sëmundjeve stomatologjike në fëmijët e qytetit të Shkodrës".

Në periudhën 1990 - 1997, përfshihet në proçeset demokratike, duke u zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor për dy Legjislatura rradhazi.

Ai kryen detyrën e diplomatit si Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë (Vatikan), Romë gjatë vitit 1997.

Më 1998, kthehet në profesion të lirë dhe përkohësisht si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Mjekësisë, në profilin e Ortodontisë. Eshtë autor i afro 100 botimeve shkencore e propagandistike.

Ka botuar, disa libra politikë e kulturorë. Ka qenë antar i Këshillit Shkencor të rrethit të Shkodrës dhe Kolegjumit të Stomatologjisë, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për periudha të ndryshme kohore.

Botime të autorit

I - Botime shkencore:

1. "Të njohim sëmundjet stomatologjike", 1980.

2. "Stomatologjia praktike" (Përkthim), 1981.

3. "Anomalitë e numrit të dhëmbëve", 1981.

4. "Epidemiologjia e sëmundjeve të gojës tek fëmijët", 2002.

5. "Stomatologjia Terapeutike" (Përkthim, 600 faqe), Për botim.

II - Botime politike:

6. "Dosja e diktaturës", 1995.

7. "Paggine sulla dittatura", Terlizzi, 1998.

8. "The Criminal File Of Albania's Comunist Dictator", 2003.

9. "Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike ne Shqipëri", 2007.

10. "Dosja e Diktatures e plotesuar", Ribotim, 2009.

III - Botime kulturore:

11. "Pranë dhe Larg", 2000.

12. "Proverba nga gjithë bota", 2001.

13. "Gjosho Vasija - Meteor i humorit shqiptar", 2001.

14. A. Shopenhauer, "Arti si të jemi të lumtur" (Përkthim), 2001.

15. A. de Mello, "Urtia popullore e Lindjes" (Përkthim), 2002.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE