Uashington, 2 shkurt, NOA - Për të qenë të gatshme në çdo konflikt të mundshëm global apo rajonale, si edhe për të finalizuar me fitore luftën në Irak apo Afganistan, Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu duhen rreth 700 miliardë dollarë fonde të sigurta. Një fakt i tillë parashikohet në dokumentin e buxhetit të vitit për SHBA-të, në të cilin buxheti i Pentagonit parashikon akordimin e 708 miliardë dollarëve me argumentin e dy strategjive të rishikuara, të cilat përbëjnë planin që i kushton prioritet të lartë fitores së luftërave në Irak dhe Afganistan dhe gadishmërisë për konfliktet e reja të mundshme.
Ndërkaq, dokumenti i buxhetit gjithashtu kërkon rritjen e aftësive të mbrojtjes nga raketat.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha se synimi i rishikimit të politikave dhe propozimeve të buxhetit është për të mundësuar që ushtria amerikane të fitojë luftërat e tanishme dhe të përgatitet për një të ardhme të rrezikshme dhe të pasigurt.
Dokumenti kryesor i publikuar dje, Rishikimi i Mbrojtjes Katërvjeçare, është hartuar për të përcaktuar drejtimin e Departamentit të Mbrojtjes për katër vitet e ardhshme.
Aty theksohet siguria globale që po bëhet gjithnjë e më komplekse, ku grupet terroriste po shtënë në dorë gjithnjë e më shumë teknologji vdekjeprurëse dhe të rrezeve të gjata veprimi.
"Kemi mësuar përmes eksperiencës së dhimbshme se luftërat ku ne marrim pjesë, janë rrallë luftëra që ne parashikojmë. Si rezultat, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për aftësi më të shumta ushtarake, shkathësi më të madhe përgjatë një spektri të gjerë të konflikteve", tha Gates lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA