English

Çfarë ndodhi me Mehsudin?

New York Times theksoi se zyrtarët pakistanezë dhe ata amerikanë janë gjithnjë e më të bindur se udhëheqësi i talebanëve në Pakistan, Hakimullah Mehsud, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmit me fluturake amerikane pa pilot. Talebanët e mohojnë këtë

Nga AFP Edhe gjatë ditës së djeshme ka mbetur enigmatik fati i kryesuesit të talebanëve në Pakistan, Hakimullah Mehsudit, pas raporteve të reja se zyrtarët pakistanezë dhe amerikanë besojnë se ai është vrarë, përkundër mohimeve nga ana e militantëve. SHBA'ja në vazhdimësi kishte vënë Mehsudin në shënjestër të sulmeve me raketa. Mehsud akuzohet se ka qenë i përfshirë në sulmin vetëvrasës kundër agjentëve të CIA's në Afganistan, në dhjetor të vitit të kaluar - sulm ky më vdekjeprurësi ndaj CIA's në 26 vitet e fundit. Spekulimet për vdekjen e tij dolën në sipërfaqe pas sulmit me raketë, të ndërmarrë nga një fluturake amerikane pa pilot më 14 janar, në qendrën e talebanëve në Vaziristanin Jugor, afër brezit kufitar me Afganistanin, por Mehsud kishte publikuar dy audio-porosi në të cilat ai mohoi vrasjen e tij. Më 17 janar, një ditë pas kumtesës së fundit të Mehsudit, një fluturake ndërmori një sulm tjetër, në të cilin, sipas zyrtarëve, sërish ishte vënë në shënjestër Mehsudi. Vrasja e Mehsudit do të ishte një sukses i madh për SHBA'në, e cila ka intensifikuar luftën me fluturake pa pilot në Pakistan, pasi që Mehsud mori përsipër përgjegjësinë për sulmin në Afganistan, si pasojë e të cilit u vranë pesë agjentë të CIA's dhe dy kontraktues amerikanë. Zyrtarët pakistanezë kanë theksuar se janë duke i hetuar raportet për vrasjen e tij. Megjithatë, talebanët kanë mohuar vrasjen e Mehsudit. "Raportet janë kundërthënëse dhe ne nuk jemi të sigurtë. Po zhvillojmë hetime. Po tentojmë ta konfirmojmë lajmin", tha një zyrtar pakistanez për inteligjencë. Kishte raporte se Mehsud është plagosur pasi automjeti i tij ishte qëlluar nga një raketë amerikane më 14 janar, në rajonin Shaktoi, në Vaziristanin Verior. Më pas u theksua se ai është dërguar në Orakzai, për t'iu ofruar ndihma mjekësore, por një mjek, për të cilin u theksua se e ka trajtuar atë, e ka mohuar këtë informatë. "Ky mund të jetë një blof i vetë Mehsudit. Raporti ndoshta është vënë në qarkullim për të shpërqendruar vëmendjen e SHBA'së, për shkak se ai në vazhdimësi është ndjekur dhe është vënë në shënjestër të fluturakeve amerikane", deklaroi zyrtari pakistanez i inteligjencës. Një zyrtar i ushtrisë pakistaneze theksoi se ekzistojnë informata të pakonfirmuara se Mehsud është plagosur gjatë një sulmi të ndërmarrë javën e kaluar nga helikopterët pakistanezë kundër pozicioneve të talebanëve në rajonin Mamoonzai, në Orakzai. "Po zhvillojmë hetime për të verifikuar autenticitetin e këtyre raporteve", tha ky zyrtar. Gazeta New York Times theksoi se zyrtarët pakistanezë dhe ata amerikanë janë gjithnjë e më të bindur se Mehsud ka vdekur si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmit me fluturake. Zyrtarët qeveritarë në Islamabad kanë theksuar se gjasat janë të mëdha që Mehsud të jetë vrarë, përkundër faktit se nuk ishin në gjendje të ofrojnë dëshmi, njoftoi NYT. Një zyrtar i administratës amerikane në Washington theksoi se në bazë të raporteve të inteligjencës, me një siguri prej 90 për qind mund të thuhet se Mehsud ka vdekur si pasojë e plagëve të marra pas sulmit më 17 janar. Gazeta theksoi se besohet që ai është varrosur në rajonet fisnore në Pakistan, rajon ky i cili cilësohet si strehimore e Al Qaidës. Mehsud mori përsipër kryesimin e talebanëve në Pakistan në gusht të vitit të kaluar, pasi vëllai dhe paraardhësi i tij, Baitullah Mehsud, u vra pas një sulmi të ndërmarrë nga forcat amerikane.

KOMENTE