Tiranë, 3 Shkurt NOA - "Gjashtë personazhe kërkojnë autor" rikthejnë aktoren e mirënjohur Marjeta Ljarja e cila do të ketë një rol në këtë vepër të shkrimtarit të madh Luixhi Pirandelo.
Vepra do të vihet në skenë nga Teatri Kombëtar dhe ka për regjisor Mehmet Xhelilin, skenograf Genc Shkodranin, kostumografe Anila Zajmin.
Në rolet kryesore interpretojnë veç Marjeta Ljarjes edhe Fatos Sela, Eftjola Laçkaj, Dritan Boriçi, Olta Dako, Fadil Kujovska, Olta Gixhari, etj.
"Gjashtë personazhe kërkojnë autor" është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet.
Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italin Luixhi Pirandelo. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme dhe spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Subjekti është i tillë:
Në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku, gjashtë personazhe.
Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka krijuar në fantazinë e tij, i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit.
Natyrisht, një përgjigje e tillë shkakton të qeshura të papërmbajtura tek aktorët dhe regjisorja. Pas këtij reagimi, personazhet përgjigjen të fyer dhe të prekur se ata mbartin një dramë tepër të dhimbshme që ata e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë.
Drama e tyre ka në qendër një familje: Babai, Thjeshtra, Nëna, Biri, Vogëlushja dhe Djaloshi; është një familje e ngatërruar në një histori tepër interesante dhe tronditëse. Pas rrëfimit të kësaj historie, regjisorja, e emocionuar dhe e ngacmuar artistikisht, vendos që trupa ta luajë dramën në skenë edhe pse mungon autori.
Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse.
Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë.
Gjashtë personazhe kërkojnë autor mbart një gjuhë sa të pasur intelektuale, aq edhe të ngjeshur me veprim e dramaticitet; ajo ka një mënyrë tepër origjinale të servirjes së subjektit: në fillim e çuditshme dhe pastaj e hapur dhe sugjestionuese. Mbart një lëndë të kondensuar, të ngjeshur, intensive, të gjerë. Ajo ka personazhe të larmishme, të pushtuar nga nevoja ulëritëse për komunikim dhe vetëkonfirmim.
Larmi ka edhe në potencialitetet emocionale dhe ideore: thellësi mendimi, përplasje tragjike, kundrapunkte komike, kulme të fuqishme, hera herës poetike, por edhe spektakolare.
Gjashtë personazhe kërkojnë autor është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragji-komike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti, etj.
Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe spektakli.
Realizimi i Gjashtë personazhe kërkojnë autor në Teatrin tonë Kombëtar, i ka të gjitha gjasat të kthehet, jo vetëm në një ngjarje të rëndësishme kulturore kombëtare, por edhe në një diskutim të hapur artistik, në kohën dhe vendin e duhur, mbi problemet që kalon prej shumë dekadash, shoqëria jonë, por edhe teatri dhe publiku shqiptar.
e.r/NOA