English

Ligji i ri, tatohen me 10 % paratë "informale"

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 2 shkurt, NOA - Në një kohë që ligji Antimafia ka hyrë në fuqi për të ndëshkuar të gjithë ata që nuk deklarojnë burimin e pasurisë, një tjetër ligj pritet të miratohet në parlament, i cili në thelb ligjëron evazionin fiskal apo paratë informale.

Një ndryshim në ligjin për tatimin mbi të ardhurat parashikon se nuk ka rëndësi origjina e parave, por në rast se biznesi dëshiron të zgjerojë kapitalin e kompanisë, ai mjafton t'i nënshtrohet tatimit 10 %.

Kjo nismë merret në kushtet kur buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi financiare dhe ky tatim do të ndikonte që bizneset të shtojnë kapitalet e tyre.

Sipas Selami Xhepës, anëtar i komisionit parlamentar të Ekonomisë, nëpërmjet ligjit në fjalë mund të përdoren para që kanë orgjinë kriminale, por nuk është detyrë e administratës tatimore, që zbaton ligjin mbi të ardhurat për të verifikuar burimin e tyre.

Sipas Xhepës, tatimorët kanë për detyrë që të verifikojnë që këto para nuk janë tatuar më parë dhe tani që biznesi kërkon t'i investojë, duhet të paguajë 10% tatim, ndërsa verifikimi i origjinës së parave është objekt i institucioneve të tjera.

Në ligj thuhet: " Të ardhurat në çfarëdo lloj forme, për efekt shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë tatuar më parë dhe që nuk janë shoqëruar me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave, tatohen 10 %".

Por komuniteti i biznesit është skeptik për zbatimin në praktikë të këtij ligji.

Në kushtet kur qeveria ka nisur një sulm të ashpër ndaj një kategorie biznesi, të dy ligjet, si ai antimafia edhe ai i tatimit mbi të ardhurat mund të përdoret me subjektivizëm nga administrata shtetërore.

Sipas nëdrejtorit të shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija, është e nevojshme që të bëhet një ndarje e qartë mes atyre biznesve që janë objekt hetimi nga ligji antimafia dhe atyre biznesve që përfitojnë nga ligji i sapomiratuar.

Sipas tij, në këtë mënyrë bizneset do të stimulohen për të deklaruar edhe ato para që i mbajnë në mënyrë të fshehtë.

Nisma ligjore vjen në një moment kur komuniteti i biznesit i ka propozuar qeverisë amnisti fiskale, çka do të thotë legalizim të aseteve.

Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregëtisë, Nikolin Jaka shprehet se ka ardhur koha që biznesit t'i falen detyrimet apo borxhet e paqarta të krijuara në vite, në mënyrë që të stimulohet për të formalizuar vetveten.

Drafti i është dorëzuar qeverisë dhe pritet reagimi i saj.

Dy vite më parë, qeveria mori vendimin për të bërë një amnisti të pjesshme duke falur gjobat dhe kamatvonesat e bizneseve në vite, por ky ligj nuk dha rezultat pasi ata nuk përfituan në mënyrë direkte.

KOMENTE