English

Moti i keq bllokon akset rrugore në vend

Korçë, 2 shkurt, NOA - Mjaft akse rrugore të rëndësishme kombëtare rezultojnë të jenë të bllokuara për shkak të rënies së reshjeve të mëdha të dëborës gjatë dy ditëve të fundit.

Sipas të dhënave nga korrespondentët, në Qafë Kërrabë rruga është pothuajse e bllokuar për shkak të borës, prandaj, policia në këtë aks rrugor ka bllokuar lëvizjen e të gjithë furgonëve, edhe nëse janë të pajisur me zinxhirë.

Bëhet me dijeni se për të mbërritur në Tiranë, automjetet po përdorin rrugën e Durrësit.

Qarkullimi në akset Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Kukës dhe Qafë Mali Bajram Curri kryhet vetëm me zinxhirë, ndërsa aksi Bardhok-Iballë vazhdon të mbetet i bllokuar sikurse e gjithë komuna prej 9 ditësh.

Por edhe në Llogara situata është pothuajse e njëjtë dhe kalimi i makinave në këtë zonë bëhet vetëm me zinxhirë.

Ndërsa zona e Macukullit të Matit rezulton e bllokuar që nga dita e diel, ndërsa e bllokuar rezulton në këtë rreth edhe komuna Xakër.

Të bllokuar rezultojnë edhe fshatrat Zajes dhe Peshqesh në Mirditë, si edhe komuna të tjera në Dibër si ajo e Zerqanit, Kalasë së Dodës, Maqellarës etj.

Në fund, sa i përket zonës së Kukësit rezulton fakti se komunat Zapod, Arrën, Grykëcaj janë të bllokuara prej 6 ditësh.

Reshjet e dëborës janë ndërprerë ndërsa ngricat krijojnë vështirësi qarkullimi brenda dhe jashtë këtij qyteti e se lëvizja e automjeteve mund të bëhet vetëm me zinxhirë.

n.e/NOA

KOMENTE