English

Mujota: Zvogëlimi i trupave të NATO-s, nuk do rëndojë mbi FSK-në

Prishtinë, 2 shkurt, NOA - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, thotë për BBC se zvogëlimi i trupave të NATO-s nuk do të shtojë përgjegjësitë e kësaj force. Ai tha se kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), mbesin në fushën e mbrojtjes civile, siç është përcaktuar me pakon e Ahtisarit dhe me Kushtetutë. Sipas ministrit Mujota, FSK po pranohet gjithnjë e më shumë nga pakicat, përfshirë atë serbe, si një strukturë që mbron interesat e të gjithë qytetarëve. Megjithëse FSK-ja deri tani nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet në veri të Mitrovicës, kreu politik i saj thotë se ajo do ta kryejë misionin në tërë territorin e Kosovës.

Z.Mujota, shkurtimi i trupave të NATO-s kishte ndonjë domethënie edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës?

- Eshtë një planifikim dhe një vendim që nga korriku i vitit 2009 për zvogëlimin e trupave të KFOR-it, është vendim i koordinuar politiko-ushtarak dhe është një vlerësim për progresin e arritur në Kosovë, për stabilitetin në rajon. Mendojmë se zvogëlimi i numrit të trupave në terren nuk ndikon në cilësinë e sigurisë në Kosovë në përgjithësi. Aftësitë e KFOR-it ruhen për çdo gjë, për çdo eventualitet, por na gëzon fakti se gjërat po shkojnë në progres të vazhdueshëm.

Por a nënkupton ky zvogëlim i trupave të NATO-s shtim të përgjegjësisë së strukturave vendore të sigurisë, përfshirë forcën më të re të sigurisë, FSK-në?

- Forca e Sigurisë së Kosovës kryen detyrat sipas kushtetutës dhe ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Janë dy procese të ndara që nuk ndikohen nga njëra-tjetra, por natyrisht ne bëjmë punën tonë për të arritur sa më parë kapacitetet operacionale. Është e rëndësishme që në shtator të vitit 2009 janë deklaruar kapacitetet e para operacionale të FSK-së, një dëshmi që tregon se NATO-ja në Kosovë, që ishte mbikqyrëse dhe përgjegjëse kryesore për trajnimin e Forcës së Sigurisë gjatë kësaj periudhe, ka dhënë një vlerësim shumë pozitiv për të arriturat e Forcës së Sigurisë dhe këtë patëm rast ta dëshmojmë edhe në praktikë.

Kur thoni se Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar fazën e parë të operacionalizimit të saj, deri në ç'masë është funksionale sot ajo dhe a shtrihet në tërë territorin? Këtu kam parasysh situatën në veri të vendit.

- Forca e Sigurisë së Kosovës ka mandatin e vet të përcaktuar me Kushtetutë, ajo do të ketë mandatin e vet ashtu siç është përcaktuar drejtpërdrejt me dokumentet legale të Kosovës, natyrisht ajo ofron sigurinë për të gjithë qytetarët dhe në të gjitha pjesët e vendit, pa dallim gjinie, pa dallim religjioni dhe ne bëjmë punën tonë që të arrijmë sa më parë kapacitetet e plota operacionale. Natyrisht, të arriturat tona deri në këtë fazë janë mjaft të prekshme, mjaft të dukshme dhe na gëzon fakti që ka një vullnet, ka një qasje shumë konstruktive dhe ka një përkrahje të madhe nga vendet aleate të NATO-s dhe vendet mike për ngritjen e Forcës së Sigurisë.

Por për momentin nuk jeni të vendosur në veri të Kosovës apo jo?

- Forca e Sigurisë së Kosovës është e vendosur në shtatë kazerma në tërë territorin dhe çështja e vendndodhjes së FSK-së nuk e përcakton edhe misionin. Natyrisht, misioni ka elemente të tjera, ndërsa ne kujdesemi që të mbajmë detyrat tona kushtetuese në koordinim të plotë me NATO-n dhe konsiderojmë se në kohën e duhur, në momentin e duhur, do të marrim edhe vlerësime të avancuara për përgjegjësitë që do të marrë Forca e Sigurisë në përputhje me misionin që ka dhe interesat e Kosovës.

Zoti Mujota, Forca e Sigurisë së Kosovës është projektuar si një forcë shumetnike. Kur filloi ngritja e saj pati reagime të ndryshme nga komuniteti serb. Ka pasur të atillë që e kanë kundërshtuar ashpër. Tani që kjo forcë është funksionalizuar, në ç'masë janë të integruar serbët?

- Institucionet shtetërore të Kosovës konsolidohen përherë e më tepër, Forca e Sigurisë së Kosovës ka obligimet e veta dhe ka një qasje pozitive nga të gjithë qytetarët. Ne do të kemi synim prezentimin e diversitetit etnik dhe kulturor të Kosovës dhe jemi në rrugë të mbarë që t'i arrijmë këto synime. Natyrisht, reagimet e para mund të jenë të instrumentalizuara apo me paragjykime, ndërsa përherë e më tepër kuptohet se FSK-ja është forcë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të mbrojë të gjitha interesat e vendit në përputhje me kompetencat që ka dhe në koordinim të plotë me NATO-n, si përgjegjëse kryesore për sigurinë në Kosovë.

Shprehur në përqindje, sa është numri i pjesëtarëve të komuniteteve pakicë të inkuadruar në këtë forcë?

- Deri tani kur kemi 1.800 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë, që kanë marrë kontratat e para të punës, rreth 6.2 përqind u takojnë komuniteteve pakicë, që është një numër solid dhe natyrisht një përqindje që tregon qartë për pranimin e duhur dhe për interesin e qytetarëve të Kosovës për të qenë pjesë e Forcës së Sigurisë. Tani është e qartë se ka dallime nga komuniteti në komunitet për konkurrim, por tani jemi në momentin kur kemi hapur fushatën e rekrutimit për gjeneratën e re prej 400 pjesëtarëve. Vetëm për 10 ditë duket se kemi shenja shumë të mira të konkurrimit nga të gjitha komunitetet, pra edhe ai serb. Natyrisht, sa më shumë që të ketë të interesuar, do të ketë një konkurrencë të mirëfilltë, do të ketë punë të madhe për të përzgjedhur më të mirët, por mbi të gjitha dua të bëj të ditur për gjithë publikun se do të ruhen kriteret dhe standardet për secilin pjesëtar të FSK-së, pavarësisht etnisë, gjinisë apo religjionit që kanë.

Para pak ditësh, Forca e Sigurisë së Kosovës mori pjesë në operacionin e saj të parë humanitar me rastin e përmbytjeve në Shqipëri. A priten aktivitete të tjera të ngjashme të FSK-së jashtë Kosovës?

- Ishte një mision i suksesshëm i zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në rastin e përmbytjeve në Shkodër dhe rrethinë, ishte një operacion i koordinuar me NATO-n dhe me të gjitha institucionet e vendit sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Ne kemi shprehur gatishmërinë që të ndihmojmë edhe në Haiti, nëse do të vijë një kërkesë nga qeveria e shtetit të Haitit dhe natyrisht me kompetencat që kemi. Ne do të jemi të gatshëm me kapacitetet që kemi të ndihmojmë, të përkrahim, të reagojmë kudo në botë ku ka nevojë dhe ku kërkohet ndihma jonë, natyrisht në përputhje me kompetencat që kemi.

A shihni mundësi që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës të NATO-s në botë?

- Ne jemi në momente kur po ndërtojmë raporte bashkëpunimi të dyanëshme me shtetet anëtare të NATO-s, shtetet fqinje dhe ato mike në përgjithësi. Ne dëshirojmë dhe synimi ynë është që të arrijmë sa më shpejtë kapacitetet e plota operacionale, të kemi trajnimin e duhur, të kemi infrastrukurën dhe pajisjet e duhura dhe mbi bazën e kësaj do të jemi të gatshëm të jemi partnerë kudo që kërkohet nga vendet aleate të NATO-s dhe vendet mike dhe në përputhje me interesat dhe nevojat e shprehura.

Ministër Mujota, kur mendoni se kjo forcë do të jetë plotësisht funksionale?

Mujota: Forca e Sigurisë së Kosovës në një kapacitet të caktuar tash është funksionale, por kapacitetet e plota funksionale mendojmë se do t'i arrijmë në fillim të vitit 2012, flasim për 2500 pjesëtarë të rregullt të FSK-së dhe 800 rezervistë, të cilët do të jenë të pajisur, të trajnuar dhe të aftësuar mbi kriteret dhe standardet e NATO-s.

Mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas ligjit do të rishikohet pas 5 vitesh. Mendoni se deri atëherë kjo forcë do të jetë e gatshme të transformohet në ushtri?

- Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë e aftë të përmbushë misionin e vet në afatin e paraparë. Jemi shumë të sigurtë që në raport me progresin që do të arrihet në Kosovë, në stabilitetin në rajon dhe me vlerësimin e saktë politiko-ushtarak në Bruksel dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës do të vijë momenti kur do të mund të rishikohet pozicioni, statusi dhe kompetencat tjera që duhet t'i takojnë një force për të siguruar qytetarët e një vendi.

BBC

KOMENTE