Siguria e aeroporteve në Evropë: Organizimi i kontrolleve vazhdon të mbetet në dorë të shteteve të veçanta të BE-së. Sipas vlerësimit të ekspertëve nga vendi në vend dhe nga aeroporti në aeroport ka ende dallime, për sa u përket standardeve
Qysh prej sulmeve terroriste me katër avionë me 11 shtator 2001 në BE diskutohet që duhen forcuar kontrollet në aeroporte. BE ka ndaluar, apo kufizuar marrjen me bagazhin e dorës të sendeve të forta, të lëngjeve dhe pastave. Kontrollet e sigurisë në 400 aeroporte në BE duhet t'i përmbushin kriteret minimale.
Në aeroportin Shipol në Amsterdam janë tashmë në veprim pesëmbëdhjetë të ashtuquajtur skaner, të cilët dallojnë edhe armët dhe lëndët eksplozive të fshehura në trup. Günter von Adrich është në Amsterdam menaxher projekti për aplikimin e teknikës së re të sigurisë. Ai shpjegon:
"Ju lutem hyni brenda, ngrini krahët lart. Bëhet skenimi dhe për disa sekonda ne shohim rezultatin".
Të drejtat e personit duhen ruajtur gjatë procesit të skenimit.
Akoma përdorimi i aparaturave varet nga vullneti i pasagjerëve, sepse është fjala për një eksperiment. Ministrat e Brendshëm të BE nuk kanë arritur ende të bien dakord për një standard të përbashkët. Komisioni i BE rekomandon aplikimin e skanerëve kudo. Komisarja për drejtësinë, Vivian Reding, porosit ama që të drejtat e personit të respektohen jashtë mase gjatë procesit të skenimit.
"Dëshira jonë për siguri nuk mund të justifikojë çdo ndërhyrje në sferën private. Qytetarët tanë nuk janë objekte, por qenie njerëzore"
Skanera jo kudo, por në aeroportet kryesore
Rezerva kanë edhe shumë deputetë në Parlamentin Evropian. Qeveria holandeze dëshiron që t'i vendosë sa më parë të jetë e mundur skanerët e rinj para çdo terminali aeroporti. Në Itali janë planifikuar skanera në të dy aeroportet e mëdha në Roma-Fiumicino dhe Milano-Malpensa.
Vetëm pasagjerët me destinacion SHBA apo Izraelin duhet të skenohen. Në Britaninë e Madhe për disa ditë do të instalohen skanerat e parë në aeroportin London-Heathrow. Franca dëshiron ta shqyrtojë një herë çështjen e skanerave. Në Paris do të vendosen disa skener për teste vullnetare. Në aeroportet e vogla në BE momentalisht nuk është planifikuar, që të vendosen skaner që kushtojnë afro 120 000 euro. Debati nuk duhet reduktuar tek skaneri i trupit, porosit i ngarkuari i BE kundër terrorit, Gilles de Kerchove:
"Fjala është më shumë se vetëm për teknikë në aeroport. Ne na duhet një gërshetim i informacioneve të shërbimit sekret dhe policisë. Ne duhet të dimë, se cilat pasaporta janë vjedhur dhe kush ka çfarë vize".
Siguria nuk arrihet vetëm me shtimin e teknikës, por edhe me njerëz të kualifikuar
Vendosja e skanerave kudo në çdo aeroport province do të ishte shumë e kushtueshme, mendon de Kerchove.
Më e nevojshme është që të ndërlidhen informacionet ekzistuese për atentatorë të mundshëm dhe të vlerësohen shpejt.
Kështu keniani, i cili deshi të hidhte në erë për krishtlindje avionin e Delta-Airlines, do të ishte zbuluar shumë më parë.
Sindikata e policisë në Gjermani kritikon faktin, që Gjermania dhe shumë vende të tjera të BE-së, i kanë lënë kontrollet e sigurisë në aeroporte në duart e firmave private. Presioni i shpenzimeve bën që njerëz me rroga të ulëta të kryejnë detyra shumë të ndjeshme
Sindikata e policisë vlerëson jo aq shumë teknikën se sa njerëzit e kualifikuar. Në çdo aeroport duhen vënë të ashtuquajtur profilizues, të cilët në bazë të kritereve psikologjike nxjerrin nga rryma e udhëtarëve të dyshimtët dhe i marrin në pyetje. Në mënyrë të ngjashme veprojnë autoritetet e sigurisë në Izrael.
Megjithatë kontrollet shtesë vetëm për shkak të nacionalitetit në Gjermani janë momentalisht të ndaluara. Këtë e kundërshtojnë parimet evropiane kundër diskriminimit. /dw/
Foto: Një pasagjer në një skener në aeroportin Shipol në Holandë