Elbasan, 2 shkurt, NOA - Shpërndante lëndë narkotike nëpër lokale të ndryshme, por ka mundur të identifikohet dhe të bjerë në prangat e policisë në sajë të operacionit të koduar "Bardhë e Zi".
Fjala është për një djalosh 20-vjeçar me emrin Nelson Peqini, lindur dhe banues në qytetin e Elbasanit, për të cilin burimet policore konfirmojnë për NOA-n se është kapur në flagrancë me porcione droge gati për shpërndarje.
Arrestimi i tij u bë në mjediset e një lokali në qytetin e Elbasanit me 7 tableta të mbështjella me letër varaku, brenda së cilës gjendej një masë në gjendje pluhuri me ngjyrë të kuqërremtë, e cila për nga karakteristikat e saj ngjason me atë të lëndës narkotike e llojit heroinë, më peshë rreth 3 gram.
Në lidhje me këtë ngjarje po punohet për dokumentimin e plotë të saj si dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", e cila parashikohet nga neni 283/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA