Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se së shpejti priten njohje të reja të shtetit të ri. Por, janë përfaqësuesit e opozitës ata që vazhdimisht hedhin kritika në drejtim të Qeverisë për mungesën e një strategjie konkrete për lobim
Arton Konushevci
Republika e Mauritanisë ishte vendi i fundit që njohu shtetin e Kosovës, duke e çuar kështu në 65 numrin e vendeve që kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri.
Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme i pohojnë përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për të shtuar numrin e njohjeve. Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, tregon më hollësisht për punët që po bëhen në këtë drejtim: "Ne kemi intensifikuar kontaktet me përfaqësuesit e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ekziston një koordinim jashtëzakonisht i fuqishëm edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që numri i njohjeve të shtohet". "Ky vit ka filluar mbarë, ne tashmë kemi pranuar një njohje. Në këto momente derisa po flasim, ministri i Jashtëm gjendet në Uashington, ku do të ketë takime me përfaqësues të shumë shteteve, që janë në prag të marrjes së vendimit për njohjen e Kosovës", thotë Çitaku. Zonja Çitaku, ndonëse pohon se po shfrytëzohen të gjitha kanalet diplomatike për t'i bindur shtetet hezituese që ta njohin Kosovën, ajo nuk bën të ditur se me çfarë strategjie është duke lobuar Ministria e Punëve të Jashtme. "Unë nuk mund të jap detaje të strategjisë sonë të lobimit. Ju e dini që lobimi, edhe për nga definicioni, është joformal, e para; dhe e dyta, ne nuk do të zbulojmë detaje të strategjisë sonë, sepse ka ndodhur shumë shpesh që kur ka pasur paralajmërime, ato kanë shërbyer si udhëzime për oponentët e pavarësisë së Kosovës, për të shkuar dhe bërë presion te shtetet që të mos marrin vendim të njohjes", thotë Çitaku. Por, përfaqësues të partive opozitare vazhdimisht hedhin kritika në drejtim të Qeverisë së Kosovës, për shkak të, siç thonë ata, mungesës së një strategjie konkrete për të lobuar rreth njohjeve të reja. Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, thotë: "Jo, nuk kanë strategji. E tërë strategjia e institucioneve të Kosovës është mbështetur te miqtë tanë ndërkombëtarë. Ata kanë strategji, por institucionet tona nuk kanë. Dhe, kjo ka ndikuar që procesi i njohjeve të jetë shumë i ngadalshëm". Me këtë mendim nuk pajtohet zonja Çitaku... "Nuk është e vërtetë që nuk ka strategji. Dikush nga opozita mund të mos dijë që ka strategji, mirëpo strategji ka. Punohet jashtëzakonisht shumë dhe ka koordinim të jashtëzakonshëm edhe me partnerët e pavarësisë së Kosovës". Avni Arifi, nga AAK-ja, po ashtu konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet edhe rreth procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mënyrë që mendimi eventual i kësaj gjykate rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të mos e ndikojë procesin e njohjeve. "Brengosëse është se ne nuk shohim asnjë iniciativë të Qeverisë që do të jetë e orientuar në menaxhimin e rezultatit të GJND-së. Ne jemi mësuar nga praktikat e mëhershme që çdo rezultat që jep gjykata, diplomacia serbe ta përvetësojë dhe ta interpretojë si pozitiv për të - e kjo mund të ketë pasoja shumë të mëdha në ngadalësimin e procesit të njohjeve", thotë Arifi. Të rëndësishme për Kosovën janë vlerësuar njohjet nga pesë shtetet e BE-së, që ende hezitojnë t'iu bashkohen 22 anëtareve të tjera të këtij unioni, që tashmë kanë njohur dhe kanë ngritur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. /rfe/