Ish-kryeministri Bler i përkujtoi botës se përse Sadami është dashur të largohet dhe për mësimin për Iranin
Nga Cassell Bryan-Low dhe Paul Sonne
Mediat britanike janë të tmerruara se Toni Bler ende nuk ka shprehur keqardhje për përmbysjen e Sadam Huseinit. Ekspertët nga e majta dhe e djathta janë të shokuar se ish-kryeministri, duke dëshmuar edhe një hetim lidhur me luftën në Irak, nuk kërkoi falje për rolin e tij në përmbysjen e njeriut, i cili disa herë i ka invaduar fqinjët e tij dhe i ka masakruar qindra-mijëra pjesëtarë të popullit të tij. Ne nuk jemi të sigurt se cili është qëllimi real i të ashtuquajturit Komisioni Çilkot, i emëruar sipas shërbyesit civil në pension, Xhon Çilkot. Duket se ka për qëllim që të shqyrtojë se si u mor vendimi për invadimin e Irakut dhe të kihen parasysh mësimet, e jo për meritat e përmbysjes së Sadamit. Por, sikur edhe dy hetimet e mëparshme lidhur me luftën, edhe ky është po ashtu një teatër politik, i paraparë për ta fajësuar Toni Blerin dhe politikë-bërësit e tjerë, që Britaninë e bënë aleate të Amerikës në mars të vitit 2003. Duke vlerësuar nga dëgjimi i tij gjashtëorësh, ky proces dështoi që ta arrijë qëllimin e tij. Zoti Bler ofroi mbrojtje të zëshme të vendimit për invadimin e Irakut dhe shumë mësime të ndryshme për të tashmen. "Kjo nuk ka të bëjë me gënjeshtër ose konspiracion apo mashtrim. Ky është vendim", tha Toni Bleri në sallën, e cila ishte e mbushur me njerëz, përfshirë edhe familjarët e ushtarëve britanikë të vrarë në Irak. "Dhe, vendimi që unë është dashur ta marr, ishte duke pasur parasysh historinë e Sadamit, pastaj përdorimin nga ana e tij e armatimit kimik, pastaj më se një milion njerëz të vrarë për shkak të tij dhe duke pasur parasysh 10 vjet të shkeljes së rezolutave të Kombeve të Bashkuara". "A do të kishim mundur ta merrnin rrezikun kur ky njeri do ta ripërtërinte programin e tij të armatimit?!", tha ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Kjo ishte pika që ia vlente për t'i përkujtuar akuzuesit, që u paraqitën të hënën në mëngjes për "dosjet e dyshimit" dhe për mungesën e armatimit për shkatërrim në masë. Ne, për asnjë moment, nuk kemi besuar se qeveritë britanike apo amerikane me qëllim e kanë kequdhëhequr opinionin e vet lidhur me atë që ata mendonin se e dinin për armatimin e Sadamit. Secili shtet perëndimor, përfshirë edhe ato që e kundërshtuan luftën, besonin se Sadami ka armatim për shkatërrim në masë. Por, pikë e rëndësishme kurrë nuk ishte aq shumë se a ka bërë apo jo Sadami, sa ishte ajo e intencave. Zoti Bler, gjatë dëgjimit, theksoi se "atë që e dimë tash, është se ai e kishte mbajtur intencën dhe dijen për rifillimin e programit të armatimit atomik dhe kimik, kur inspektorët ishin jashtë dhe sanksionet ndryshuan". "Nëse pyetem, nëse besoj se ne jemi më të sigurt, shumë më të sigurt, që Iraku është më i mirë, që siguria jonë është më e mirë, pasi Sadami dhe dy djemtë e tij janë jashtë zyrës dhe pa autoritet, me të vërtetë besoj se ne jemi", tha Toni Bler. Ai ishte i qartë edhe lidhur me Iranin dhe kërcënimin nga programi i tij atomik, duke thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë "një qëndrim shumë të ashpër". Irani mbetet sponsor i terrorizmit dhe shkaktar i jostabilitetit nga Afganistani e deri në Liban. Mësimi nga lufta në Irak nuk është për t'iu shmangur aksioneve për shkak të frikës nga konsekuencat e paparapara, që janë të paevitueshme në çdo luftë, por është që të merret aksion për t'i parandaluar shkatërrimet që mund të parashihen, në një regjim të vetëm të fanatizmit, të lidhjeve me terrorizëm dhe të armatimit atomik.
"Wall Street Journal"