English

Trafiku, çonte me pasaportën e së bijës një 19-vjeçare në Greqi për 2600 euro

Gjirokastër, 2 shkurt, NOA - Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë arrestuar në flagrancë një trafikant klandestinësh, teksa së bashku me një vajzë 19-vjeçare donte të kalonte kufirin për ta çuar atë tek i fejuari duke përdorur pasaportën e vajzës së tij.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se i ndaluari është 63-vjeçari Dhimitër Gazeli, lindur dhe banues në Fier, ndërsa vajza që ai shoqëronte mban inicialet V.A dhe është banuese në Fier.

Mësohet se Gazeli është paraqitur në pikën kufitare të Kakavijës, pranë sportelit të përpunimit të dokumentave në dalje për në Greqi, por ekspertët kanë kërkuar që t'i bëjnë një verifikim më të specializuar, pasi dispononin informacion se ky person donte ta kalonte në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek këtë vajzë.

Dhe nga verifikimi rezultoi se ai vërtet donte ta kalonte 19-vjeçaren me anë të pasaportës së nuses së djalit të tij në ngjashmëri, kundrejt vlerës 2600 euro, duke udhëtuar me automjetin e tij tip Benz me targa FR 74 21 B.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë dokumentimi me prova ligjore i veprës penale si dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti si dhe pasaporta që do shërbente për të kaluar vajza e re drejt tokës greke.

Ndërsa materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Dhënies ndihmë për Kalim të Paligjshëm të Kufirit kundrejt Fitimit", parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE