English

Aksion ndërkombëtar për negociatat "Rama-Berisha"

Ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri janë angazhuar sot për të bindur palët të ulen në tryezën e bisedimeve, pothuajse në të njëjtën orë, kryeministri Berisha dhe kreu socialist, Edi Rama, kanë pritur në zyrë diplomatët kryesorë të akredituar në Shqipëri. Kryeministri Berisha ka pasur një takim të gjatë me ambasadorin spanjoll, Montobio, në cilësinë e vendit që mban presidencën e BE-së dhe ambasadorin e komisionit evropian Lohan, ndërsa lideri i opozitës Edi Rama ka diskutuar me ambasadorin amerikan Jon Withers. Pas takimit me ambasadorët evropianë, Berisha duket se është detyruar të tërhiqet nga qëndrimet e tij, shpesh fyese ndaj presidentit, por ka paragjykuar suksesin e një takimi të drejtuar prej tij

Mero Baze*

Angazhimi i ambasadorëve të perëndimit për të bindur palët të ulen në tryezën e bisedimeve në Tiranë, tregon distancën e madhe të krijuar nga qeveria në Shqipëri me institucionin e presidentit dhe kundërshtarët e tyre në opozitë.

avarësisht suksesit apo dështimit që ambasadorët evropianë do të kenë me Berishën, bilanci i parë i qartë i bisedimeve me të, është mospërfillja që Berisha po dëshmon për institucionin e Presidentit.

Edhe pse Këshilli i Evropës i ka rekomanduar qartë, që Presidenti Topi duhet të marrë rolin e negociatorit, kryeministri Berisha jo vetëm që nuk e ka pranuar këtë sugjerim, por tashmë po harxhon energji të reja të diplomatëve perëndimorë, për ta bindur atë të pranojë institucionin e Presidentit.

Pas takimit me ambasadorët Berisha doli publikisht dhe pranoi të takohej me presidentin Topi, dhe zotin Rama, por menjëherë shpalosi paragjykimet për dështimin e tyre. I detyruar prej ambasadorëve të Perëndimit të ulet të pranojë palët në vend, Berisha shprehu skepticizmin për rezultatet e mundshme të këtyre tryezave, duke përsëritur dyshimet e tij për kotësinë e këtyre takimeve.

Pra, kriza është më e thellë se sa duket, pasi Berisha ka marrë qëndrim politik ndaj gjithkujt që ka pranuar të dëgjojë pretendimet e opozitës. Vetëm pse presidenti Topi ishte institucioni i parë politik në vend që pranoi krizën muaj më parë dhe shprehu gatishmërinë të ndërmjetësonte, ai ka hyrë tani në listën e armiqve politikë të zotit Berisha.

Dhe ambasadorët e Perëndimit në vend që të harxhojnë energjitë të pajtojnë Berishën me Ramën, po harxhojnë fillimisht energjitë të bindin Berishën, që të pranojë Topin për ndërmjetës, të cilës në një farë mënyre duket se ia kanë arritur qoftë dhe formalisht. Pra, klima e besimit, ajo që është më e rëndësishmja në çdo rast për zgjidhjen e krizave, mungon tërësisht, si mes kundërshtarëve, ashtu edhe mes një pale dhe ndërmjetësit të mundshëm.

Berisha në këtë histori nuk pranon as kundërshtarin dhe as ndërmjetësin. Deri më tani Berisha pranon vetëm ata diplomatë dhe zyrtarë që pranojnë të dëgjojnë çfarë thotë ai, pa i imponuar mendimet e tyre.

Angazhimi i ambasadorëve të Perëndimit për të bindur Berishën të pranojë institucionet në Shqipëri, madje dhe institucione që i ka zgjedhur vetë zoti Berisha, është një dëshmi e mungesës së thellë të respektit për shtetin ligjor dhe institucionet demokratike në vend prej zotit Berisha.

Sidoqoftë, presioni i fortë i diplomatëve perëndimorë hoqi pengesën e parë, atë të refuzimit, që Berisha ka pasur për presidentin Topi, por nuk ka hequr dyshimet për këmbënguljen e tij në minimin e tryezës së presidentit dhe dështimin e saj.

Mënyra se si Berisha pranoi me gjysmë zëri presionin e Perëndimit, është vazhdim me mjete të tjera, i këmbënguljes së tij për të mos i dhënë asnjë rol presidentit në këtë krizë, qoftë dhe si ndërmjetës mes palëve.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale

KOMENTE