Tiranë, 3 Shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha shprehu sot edhe një herë gatishmërinë që të takohet me kreun socialist Edi Rama nën ndërmjetësimin e Presidentit të Republikës, por paralajmëroi se një tryezë sa për të pirë kafe, nuk do të ishte e dobishme nëse nuk qartësohet se do të ketë apo jo rezultate, biseda mes palëve.
Berisha kujtoi këtu se "ne e kemi bërë shumë të qartë pozicionin tonë, se ne mirëpresim kontributin e cilitdo personalitet, natyrisht Presidentit të Republikës dhe cilitdo tjetër, që e ndjejnë se mund të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi", duke theksuar se kjo deklaratë është bërë nga ai, tri ditë më parë, si dhe dje nga kryetari i grupit parlamentar.
Kurse sqaroi: "I vetmi problem që ne kemi dhe asgjë tjetër, është se ne mendojmë se një takim që jep rezultate dhe nuk firmos dështimin është i vlefshëm; një kafe pa rezultate edhe ajo mund të pihet, por nuk është ajo që pritet. Nuk ka asnjë paragjykim, por i vlefshëm është një takim që jep rezultate".
I pyetur nëse ky takim është duke u përgatitur ndërkohë, kryeministri Berisha u përgjigj:
"Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht, megjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme".
Kurse i pyetur nëse takimi me ambasadorët Lohan dhe Montobio, kishte si temë diskutimi edhe takimin e mundshëm të kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Rama, si dhe për komisionin hetimor për zgjedhjet, kryeministri Berisha u përgjigj:
"Ka patur tërësisht një subjekt krejtësisht tjetër dhe nuk ka patur asnjë lidhje me temën, për të cilin ju bëni fjalë. Përsa i përket komisionit hetimor, ne ju garantojmë ju, se ne që nesër do ta votonim, megjithëse nuk e paraqesim nesër, ndonëse ka ide të tilla. Nëse e paraqesim në përputhje me ligjin, i takon të marrësh kryetarin. Kështu që po presim socialistët që sapo të vijnë, ta paraqesin, ne ta votojmë. Ka një rezolutë, kërkesat e të cilës ne i votojmë pikë për pikë, pa asnjë lloj hezitimi".
Në këtë pikë Berisha lëshoi dhe një tjetër ftesë për kryetarin e opozitës: "Unë prapë e ftoj zotin Rama që të shqyrtojë rezolutën dhe të mos rrimë të bëjmë deklarata dhe të ulemi dhe të zbatojmë. Rezoluta është një dokument me të vërtetë shumë i mirë dhe ulja për ta zbatuar, është interesi më i mirë i Shqipërisë dhe i secilës forcë politike. Le të ulemi të zbatojmë rezolutën dhe kjo është ftesa ime për zotin Rama".
I pyetur nëse ka ndonjë vështirësi për t'u ulur në tryezën e presidentit Topi, duke e paragjykuar atë si ish-vartësin e tij, kryeministri Berisha u përgjigj:
"Absolutisht nuk ka asnjë vështirësi për t'u ulur që sot pasdite. Nuk ekziston për mua vështirësi për t'u ulur me asnjeri. Unë e kam faktuar këtë dhe nuk paragjykoj asgjë. Ish-vartësin tim, kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur president, nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës. Ka vetëm një njeri, i cili nuk e di nëse do ta marrë përsipër apo jo këtë gjë, por nëse ai e merr përsipër këtë, mendoj se nuk do të na ftojë me lugë në brez, por do të ulemi të punojmë. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime ndonjë lloj paragjykimi, për asgjë. Edhe një herë thirrja ime për zotin Rama është të ulemi, rezoluta është shumë e mirë, është me të vërtetë në interesin e Shqipërisë. Kushdo që e lexon rezolutën, kushdo që lexon shqetësimet dhe preokupimet që shprehu ajo sallë, kupton se ai është një apel, shumë i ndershëm, miqësor për të proceduar".
Kurse i pyetur nëse do të shkonte në një tryezë me zotin Rama, pas një ftese publike të zotit Topi, kryeministri Berisha, u përgjigj:
"Që sot. Do i le të gjitha. Unë kategorikisht nuk refuzoj. E vetmja gjë që e them edhe një herë e dobishme, është që të firmosim një sukses, besoj se kjo është normale apo jo".
Në fund, i pyetur nëse ka negociata ndërkohë ose kanale komunikimi mes kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama, kryeministri Berisha u përgjigj:
"Unë nuk do të ndërpres kurrë komunikimin me kundërshtarët e mi, është një normë konstante e imja. Kundërshtari është kundërshtar, komunikimi është komunikim. Nuk ia lejoj vetes unë që të ndërpres komunikimin".
Pohimet e Berishës, u bënë ndërsa mori në ceremoninë e hapjes së zyrës, së fondacionit gjerman "Konrad Adenauer", në Shqipëri", ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert i cili kritikoi bojkotin e socialistëve.
e.r/NOA