Bruksel, 3 shkurt, NOA - Athina zyrtare do të njihet sot me të ashtuquajturin "plan kursimesh" që Komisioni Evropian ka hartuar në lidhje me vendosjen e masave më të rrepta kontrolli ndaj Greqisë pas krizës ekonomike të rëndë që rezulton dhe niveleve të larta të borxhit që ajo ka. Nga ekspertët evropianë, bëhet me dijeni se ky plan ka si qëllim ta detyrojë Athinën që të ndërmarrë një kurs më të shpejtë dhe më drastik kursimesh për rimëkëmbjen e buxhetit.
Eshtë komisioneri evropian për Monedhën, Joaquin Almunia, i cili sot do të paraqesë programin konkret të kursimeve ndaj Greqisë.
Sipas këtij plani, Athina duhet të shkurtojë rrogat në shërbimet publike dhe të ndërpresë punësimet e reja, bëhet e ditur në Bruksel.
Komisioni Evropian kërkon me ngulm që deri në fund të vitit 2012, Greqia të ulë nivelin e borxheve nga 13 për qind në nivelin e lejuar sipas standardeve evropiane, në tre për qind.
Kjo pasi sipas ekspertëve evropianë, kriza ekonomike në Greqi po ndikon edhe në stabilitetin e euros.
Ndërkaq, përfaqësuesit e lartë grekë në samitin ekonomik në Davos kanë deklaruar se shteti grek nuk cënohet nga falimentimi dhe se Greqia nuk do të përjashtohet nga zona e euros.
n.e/NOA