English

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, sa larg

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t'i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë, para se të shpresojnë të marrin statusin e vendit kandidat për integrim në BE, ka thënë në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Finlandës, Aleksander Stub

Zijadin Gashi

Rrëfimi për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk ka përfunduar, ka thënë të mërkurën në Prishtinë ministri i Jashtëm i Finlandës, Aleksander Stub. Pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Hashim Thaçi, ministri Stub ka thënë se Brukseli aktualisht po merret me çështjen e Turqisë, por pas një raundi diplomatik që kishte zhvilluar këto ditë në pesë vende të rajonit, Stub është shprehur se kishte përshtypjen se edhe Ballkani Perëndimor kërkon një vëmendje të veçantë. "Mesazhi im, sapo të kthehem në Bruksel, drejtuar kolegëve të mi atje, do të jetë se ne duhet ta marrim Ballkanin Perëndimor seriozisht", ka deklaruar Stub. Çështjet në Bosnje e Hercegovinë nuk po shkojnë në kahe të duhur. Ministri i Jashtëm finlandez, po ashtu ka përmendur edhe mosmarrëveshjet rreth emrit të Maqedonisë me Greqinë, si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Këto mosmarrëveshje, apo edhe probleme, sipas tij, duhet të zgjidhen para se këto vende të shpresojnë se do të marrin statusin e kandidatit për integrim. Një mesazh të veçantë, ministri finlandez ka thënë se do ta ketë edhe për pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën, duke i inkurajuar ato që ta bëjnë një gjë të tillë. Si procesi i njohjes së Kosovës, ashtu edhe integrimi i rajonit, sipas tij, do të marrin mjaft kohë. Por, në fund, Stub ka thënë se do të dëshironte që t'i shihte Kosovën dhe Serbinë, siç u shpreh ai, "dorë për dore" të integruara në BE. "Është e rëndësishme që vendet, të cilat pranohen në Bashkimin Evropian, të mos kenë mosmarrëveshje për kufijtë dhe kjo është ajo që dua ta them, se mosmarrëveshjet duhet zgjidhur, para se t'i shohim këto vende dorë për dore në BE", ka theksuar Stub. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi e ka siguruar diplomatin finlandez se Kosova ka përcaktim të qartë se i tërë rajoni duhet të ketë perspektivë evropiane, përfshirë edhe Serbinë fqinje. "Qëllimi ynë është të integrohemi sa më parë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Shteti ynë ka ndërtuar bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjitha vendet e rajonit, por edhe për perspektivën e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë". "Perspektiva e gjithë rajonit është integrimi në NATO dhe BE, natyrisht në periudhë të njëjtë kohore", ka thënë Thaçi. Kryeministri Thaçi ka shprehur besimin e tij se edhe çështja e veriut, si problem ende i pazgjidhur, do të përmbyllet, siç tha ai, suksesshëm gjatë këtij viti. Strategjia për veriun, sipas Thaçit, e ka mbështetjen e plotë ndërkombëtare dhe ajo do të rezultojë me vendosjen e pushtetit legjitim edhe në komunat veriore me shumicë serbe, siç ka ndodhur me komunat në pjesën qendrore. Ndërkaq, ministri finlandez ka adresuar edhe një porosi për institucionet e Kosovës, në lidhje me rëndësinë që ka vendosja e sundimit të rendit dhe ligjit. "Nëse nuk keni sundim të ligjit dhe gjyqësi të reformuar, atëherë do të rrezikohen investimet nga jashtë dhe e ardhmja e Kosovës", ka thënë ndër të tjera, ministri Aleksander Stub i cituar nga radio Evropa e Lirë.

KOMENTE