English

Kosova kërkon vëmendje

Në dëshminë e paraqitur në Kongresin e SHBA-ve, shefi i Inteligjencës Kombëtare, Denis Bler, ka paralajmëruar se "ngjarjet në Ballkan sërish do të paraqesin sfida kryesore për stabilitetin në Evropë, më 2010-ën", duke përmendur këtu Kosovën dhe Bosnjën. "Gjendja e tensionuar ndëretnike në Bosnjë dhe çështja e pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri, vazhdojnë të mbeten burime tensionesh", ka thënë Bler

Ngjarjet në Ballkan sërish do të paraqesin sfida kryesore për stabilitetin në Evropë më 2010-ën, ka thënë drejtori i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Denis Bler, në dëshminë me shkrim që e ka paraqitur para Kongresit të Shteteve të Bashkuara. "Gjendja vazhdimisht e tensionuar ndëretnike në Bosnjë dhe çështja e pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës, vazhdojnë të mbeten burime tensionesh që kërkojnë angazhim diplomatik dhe të sigurisë nga Perëndimi", ka thënë Bler. "Ne vlerësojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë ndikim thelbësor në Ballkanin Perëndimor. Natyra e angazhimit të tyre - përfshirë këtu edhe mundësinë e Uashingtonit, Brukselit dhe vendeve kyçe anëtare të BE-së për të punuar bashkërisht dhe për të prezantuar një front të përbashkët - do të ndikojnë thelbësisht në kursin e ardhshëm të rajonit", ka thënë shefi i Inteligjencës Amerikane. Duke rikujtuar se mbi 60 vende në botë, përfshirë këtu edhe 22 vende anëtare nga 27 sa ka Bashkimi Evropian, e kanë njohur tashmë shtetin e Kosovës, zoti Bler, megjithatë, ka tërhequr vërejtjen se "Prishtina do të vazhdojë të mbetet e varur nga ndihma e komunitetit ndërkombëtar për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm, sikurse edhe për diplomacinë dhe mbështetjen potenciale për sigurinë për të konsoliduar edhe më shumë shtetësinë e saj". "Një pjesë e madhe e popullatës serbe vazhdon të shikojë kah Beogradi dhe reziston integrimin në institucionet e Kosovës, edhe pse kjo qasje duket se po ndryshon ngadalë në jug të Kosovës. Ndikimi i Qeverisë së Kosovës në rajonet e banuara me shumicë në veri të vendit është ekstremisht i dobët", ka thënë Denis Bler në dëshminë e tij. "Prania e NATO-s, edhe pse e reduktuar, është ende e nevojshme për të shmangur dhunën dhe mbikëqyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës është thelbësore për efektivitetin e kësaj force dhe zhvillimin demokratik". "Liderët e Serbisë mëtojnë të ardhmen evropiane dhe presidenti Tadiq synon një përparim të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por Beogradi nuk po jep shenja se do të pranojë pavarësinë e Kosovës apo të pranojë konstruktivitetin". "Beogradi duket se është në pritje të mendimit këshillëdhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë nga Prishtina - mendim ky i cili pritet nga mesi i vitit - para se të vendosë se si t'i qaset Kosovës. Serbia në vazhdimësi mbështetet te Moska për përkrahje politike dhe mbështetje ekonomike", ka thënë zoti Bler. Ai ka ngritur edhe çështjen e Bosnjës, duke thënë se ndasitë etnike atje përbëjnë sfidë për stabilitetin në Evropë. Në dëshminë me shkrim, zyrtari më i lartë i Shërbimit të Inteligjencës ka thënë se kundërshtitë ndërmjet bashkësive kroate, myslimane dhe serbe të Bosnjës, janë në rritje dhe se ngurtësimi i mundshëm i qëndrimeve mund ta kërcënojë stabilitetin e këtij shteti ballkanik. Bler ka thënë se në procesin politik në Bosnjë ende dominojnë "agjendat etnike", ndërsa reformat kanë ngecur për shkak të dallimeve ndërmjet tri grupeve më të mëdha. Ai ka shtuar se tensionet ndërmjet myslimanëve dhe serbëve të Bosnjes janë "sfidat kryesore" për stabilitetin evropian në vitin 2010. Duke folur për Afganistanin, Bler ka thënë se aftësimi i forcave të sigurisë do ta rrisë përgjegjësinë e tyre për bartjen e sigurisë tek autoritetet afgane. "Për afro katër vjet, talibanmët e kanë rritur ndikimin e tyre dhe e kanë përhapur kryengritjen. Sfidat, me të cilat po përballemi, janë të qarta. Ta ndalim hovin e tyre dhe ta përforcojmë sigurinë në pjesët tjera", ka thënë Bler. Në pjesën për Rusinë, Bler ka theksuar përpjekjet e Moskës për të ushtruar ndikimin e saj në ish-fqinjët sovjetikë, veçanërisht Gjeorgjinë. Bler ka thënë se pikëpamja e presidentit rus, Dmitri Medvedev, që ish-fqinjët e Moskës të shihen si "zonë e interesit të privilegjuar", është një arsye tjetër për brengosje dhe mund të përbëjë kërcënim për marrëdhëniet me Uashingtonin. Zyrtari i lartë i kundërzbulimit gjithashtu ka vërejtur se vazhdon "dhuna sporadike e shkallës së ulët" në rajon, e cila mund të nxisë kthimin e luftimeve. Sipas Bler, luftimet mund të shpërthejnë edhe ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, për shkak të rajonit të kontestuar të Nagorno Karabahut. Në pjesën për Kinën, Bler ka thënë se Kina e ka shtuar grumbullimin e informatave dhe operacionet e procesimit kundër Shteteve të Bashkuara. Bler ka thënë se sulmet e fundit kibernetike ndaj kompanisë Google janë thirrje alarmi dhe se Qeveria amerikane e as sektori privat nuk mund ta mbrojnë plotësisht infrastrukturën kibernetike të Amerikës. "Aktiviteti malicioz kibernetik po ndodh në një shkallë të paparë me sofistikim të jashtëzakonshëm", ka thënë Bler. /rfe/

KOMENTE