English

Majko: Presioni ndërkombëtar do të ulë kokëfortësinë politike

Shihni dhe videon: {youtube}U-aX-U8SFmk{/youtube}

Uashington, 4 Shkurt NOA - Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko flet mbi krizën politike në Shqipëri dhe vlerëson se kriza politike po shihet në këndvështrime të ndryshme si nga ndërkombëtarët, nga opozita dhe nga mazhoranca.

Kurse nga ana tjetër, Majko shprehet se "nën presionin edhe të ndërkombëtarëve çështja e uljes së tryezë dhe zgjidhja e negociatave thelbësore, do të gjejë zgjidhje në këtë drejtim".

Majko, ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve të organizuar nga Kongresi amerikan, që përfshin një sërë takimesh, dreka dhe darka, në formën e një forumi, ku pjesëmarrësit, udhëheqës politikë, dhe të biznesit kanë rastin të njihen dhe të diskutojnë me njëri tjetrin.

Më poshtë vijon intervista e plotë që i dha radios Zëri i Amerikës:

Kohët e fundit është folur për një tryezë? Sa e realizueshme do të jetë kjo tryezë?

Mendoj që është ende herët që të flasim, por edhe nga informacionet më të fundit është e qartë se ka filluar një negociatë, e cila ka futur faktorin ndërkombëtar si ndërmjetës. Negociatat kanë filluar, por bëhen në distancë nga faktori ndërkombëtar. Me rezolutën e KE, realisht është shënuar një definicion zyrtar i përgjithshëm i asaj që është quajtur kriza politike në Shqipëri dhe si mekanizëm normal i zgjidhjes së krizës, është parë një tryezë e cila kryesohet nga Presidenti Topi. Nga pikëpamja formale nuk ka asgjë të keqe, por për ata që e njohin situatën e gjërave në Shqipëri, arrijnë ta kuptojnë pse ka debat të rënduar në këtë moment. Sigurisht bëhet fjalë për një histori, e cila tanimë njihet nga publiku dhe ndërkombëtarët, është shumë i qartë pozicioni i opozitës. Mendoj se dalëngadalë shpresoj se do të ketë një zgjidhje, e cila do të ketë të bëjë me një negociatë thelbësore, me krizën e politikës në Shqipëri.

Sa e suksesshme ka qenë strategjia e PS, gjatë këtyre muajve të fundit?

Mendoj se me rezolutën e Këshillit të Evropës, strategjia e opozitës mbylli fazën e parë të saj, që kishte të bënte me bërjen publike dhe njohjen e realitetit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, dhe rishikimi i pozicionit karshi këtyre zgjedhjeve, duke u thelluar më tej në atë se çfarë kanë sjellë dhe çfarë kanë vlerësuar në politikën shqiptare zgjedhjet e fundit elektorale. Mendoj se, pavarësisht se si u trajtua nga ana e mazhorancës, publiku shqiptar pati fat që e pa të gjithë diskutimin direkte nga KE, në shumë media elektronike, ku u pa qartë se të gjitha propozimet e PD në Këshillin e Evropës, u hodhën poshtë. Që do të thotë se metodika dhe perceptimi i mazhorancës për krizën politike që ekziston në Shqipëri, është krejtësisht i ndryshëm nga ai i faktorit ndërkombëtar, specifikisht i Këshillit të Evropës.

Mazhoranca ka dalë në një propozim konkret për krijimin e një komisioni të kryesuar nga socialistët. Çfarë strategjie konkrete po ndjek tani PS?

Siç ju thashë, është mbyllur faza e parë dhe propozimi për të pasur një komision hetimor me shumicë opozitën, është një propozim i vjetër dhe që nuk ka të bëjë me thelbin e problemit.

Thelbi i problemit është e drejta hetimore për të bërë transparencën e zgjedhjeve nga Parlamenti shqiptar dhe që në asnjë rast nuk ka të bëjë me shkeljen e ndonjë vendimi gjykate.

Jam shumë kurioz që të shoh ndonjë koleg të Partisë Demokratike, që të nxjerrë ndonjë ditë një vendim gjykate para publikut dhe të citojë një frazë apo një paragraf që të ndalojë të drejtën hetimore, për të hapur kutitë nga ana e parlamentit shqiptar. Mendoj se gjërat duhen parë me qetësi.

Tani jam i bindur se edhe nën presionin e ndërkombëtarëve çështja e uljes së tryezë dhe zgjidhja e negociatave thelbësore, do të gjejë zgjidhje në këtë drejtim.

Megjithatë që ky komision të krijohet, pra me shumicën tuaj dhe të kryesuar nga ju, ju duhet të jeni njëherë në Parlament?

Sapo do të jemi të ulur në tryezën që do të diskutojnë në mënyrë thelbësore krizën politike në Shqipëri dhe të merren vendimet përkatëse, ju siguroj që brenda 24 orësh, për këtë jam i bindur, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë në Parlament.

Kam një pyetje lidhur me LMN, të cilët prej kohësh kanë kërkuar hyrjen në Parlament. Kryetari Edi Rama, i ka cilësuar politikat e tyre si shërbesë ndaj kryeministrit Berisha. Ju si i shikoni këto politika?

Ky është një debat i brendshëm partiak, që në mënyrë esenciale nuk ka të bëjë me raportet e PS me krizën politike. Mendoj që edhe kolegët që kanë shprehur mendime të kundërta me ato të shumicës në vendimmarrjen e PS-së, në thelb nuk kanë prekur atë që konsiston raporti dhe balanca e PS-së me krizën.

Është e qartë që përballë një situatë të tillë, kauza e transparencës së kutive të votimit edhe po të dojë PS ta braktisë, ajo tanimë ekziston dhe nuk mund të përballohet me mekanizma të natyrave të ndryshme. Nuk është se kjo histori e kutive, apo e hetimit të kutive, ka brenda interesat e një partie nevojtare për të bërë një opozitë të fortë, apo për të dalë nga një krizë, sepse ka humbur zgjedhjet.

Historia e hapjes së kutive, në thelb ka të bëjë me atë që ka ndodhur edhe kur ka fituar PS, edhe kur ka fituar PD. Duhet të marrin fund komisionet që ndahen si copa byreku midis PD dhe PS, duhet të marri fund historia e ndërrimit të komisionerëve 24 orë përpara ditës së votimit se mos na i blen kundërshtari. Kjo ndodh se kutitë e zgjedhjeve pas votimit, kthehen në arkivole që s'hapen nga askush.

Ku e mbështesni hapjen e kutive?

Është një kërkesë, e cila në thelb ngatërrohet me lojëra fjalësh. Thuhet sikur ne po sfidojmë një vendim gjykate, i cili ndalon hapjen e kutive. Nëse do të ishte kështu, realisht kjo do të ishte një aventurë e mirëfilltë, ose çmenduri nga ana e PS.

Këtë argument ka dhënë Kryeministri Berisha, por PS çfarë argumenti do të japë?

Bëhet fjalë për një vendim të një trupe gjyqësore të përkohshme, që zgjidhet gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe që quhet Kolegji Zgjedhor. Në asnjë rast kërkesa jonë për hapjen e kutive nuk ka të bëjë me shkeljen e vendimit të një gjykate.

Vendimi i gjykatës apo të Kolegjit Zgjedhor për të mos hapur kutitë ekziston, ka qenë në periudhën pa dalë rezultati i zgjedhjeve. Sot që po diskutohet hapja e kutive të votimit nuk po bëhet për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, PS e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, ne kërkojmë që të bëjmë një hetim, me qëllim që ata që kanë futur duart në kutitë e votës dhe të vullnetit të shqiptarëve, përfundimisht të mbyllet kapitulli.

Dhe çdokush, këtej e tutje të kuptojë se manipulimi, marrja ose jo të ofertave të ndryshme të korrupsionit, nuk është një histori që mbyllet me daljen e rezultatit në ditën e votimit, por është një histori që vazhdon edhe më tutje.

Kjo do të thotë që shumë shpejt do të kemi të bëjmë me komisionerë profesionistë dhe jo partiakë, ne do të kemi të bëjmë me votues, që nuk do të kenë të bëjnë vetëm me ata që banojnë në territorin e Shqipërisë, por edhe votues që jetojnë sot në emigracion.

Unë mendoj se historia e transparencës së kutive të votimit dhe e krijimit të precedentit të hapjes së kutive të votimit për efekte transparencë dhe hetimore, realisht do të sjellë një evolucion të vetin ën marrëdhëniet e shoqërisë shqiptare, jo vetëm të politikës shqiptare, me sistemin zgjedhor në Shqipëri.

FUND

KOMENTE