Tiranë, 3 Shkurt NOA - Informacioni i mëposhtëm paraqet situatën e përgjithshme në lidhje me reshjet e shiut dhe dëborës në disa zona të vendit dhe gjendjen e rrugëve lidhur me kalueshmërinë e tyre nga automjetet.
Informacionet janë raportuar në Qendrën Operacionale të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme deri në orën 14:00 të ditës së sotme:
Qarku Shkodër
Situata në rrethin e Shkodrës është normalizuar. Gjatë ditës së djeshme në rrethin e Shkodrës, nuk ka pasur reshje. Ka ende 1400 ha tokë me prezencë uji, 32 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji.
Në rrethin e Shkodrës, mbetet i bllokuar aksi që lidh Shkodrën me Dukagjinin, nga Qafa e Thores. Mund të kalohet në Dukagjin nga Mali i Shoshit.
Edhe rrethi i Pukës ka qenë pa reshje dëbore, por me temperatura të ulëta, gjë që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve, në disa segmente e pika të caktuara.
Akset rrugore Fushë Arrëz - Qafë Mali, Qafë Mali- Fierzë dhe Qafë Mali- Kukës janë të kalueshëm me zinxhirë.
E bllokuar mbetet komuna Iballë, në të cilën po punohet për hapjen e rrugës.
Qarku Lezhë
Aktualisht situata paraqitet normale. Gjatë ditës së djeshme nuk ka patur reshje.
Rrugët nacionale dhe rurale në shkallë qarku janë të kalueshme plotësisht. Nuk ka patur probleme në qarkullimin rrugor. Policia e Qarkullimit Rrugor ka qenë vazhdimisht në kontroll të automjeteve.
Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë. Prej dy ditësh janë të bllokuara rrugët për në Komunën Fan dhe Orosh.
Qarkun Kukës
Dje dhe sot në qarkun e Kukësit nuk ka pasur reshje, por temperaturat kanë qenë të ulëta deri në - 6 0C. Për shkak të ngricave, ka patur vështirësi në kalimin e automjeteve në akset rrugore, të cilat janë të kalueshme nga automjetet, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve në segmente të veçanta. Për momentin temperaturat janë deri në -20C. Mbeten të bllokuara komunat Arrën, Grykë Çajë dhe Zapod.
Qarkun Dibër
Sot në qarkun e Dibrës ka patur mot të mirë, pa reshje, por me temperatura të ulëta. Akset e rrugëve janë të kalueshme, por në shumë vende nevojitet përdorimi i zinxhirëve.
E bllokuar mbetet vetëm rruga që lidh Peshkopinë me Lurën, por me shumë vështirësi dhe me zinxhirë kalohet nga aksi Lurë-Kurbnesh.
Në aksin Lurë-Peshkopi po punohet nga të dy krahët, për zhbllokimin e saj. Dje është hapur dhe rruga që lidh Peshkopinë më Kalanë e Dodës.
Qarku Korçë
Situata paraqitet normale. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve në segmente e pika të caktuara si Qafë Thanë, Qafë Plloçë dhe në Qafën Qarrit.
Drejtoria Rajonale Rrugëve dhe Policia e Qarkullimit Rrugor janë angazhuar për pastrimin e dëborës dhe lehtësimin e qarkullimit të automjeteve.
Me vështirësi dhe me zinxhirë qarkullohet në akset rrugore Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Dardhë.
Qarku Vlorë. Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, ka pasur reshje dëbore në Qafën e Llogarasë.
Sot në orët e para të mëngjesit ka patur ngrica dhe ende ka vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Duhen përdorur zinxhirë.
e.r/NOA