English

"SOS" për autonominë vendore

Tiranë, 3 Shkurt NOA/Rajmonda Lajthia - Qeveria duket e vendosur për të ndërhyrë në kompetencat e pushtetit lokal, me qëllim kontrollin e territorit.

Pas disa konflikteve të krijuara muajt e fundit, që nisën me truallin në qendër të Tiranës, e për të vijuar me pas me pallatin 12 katësh, të cilin kërkoi ta prishë, qeveria i ka dhënë të drejtë ligjore Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar të ndërhyjë për të kontrolluar territorin e pushtetit lokal.

Ky ndryshim ligjor, i cili cënon autonominë vendore, pasi kontrolli i njihet Inspektoratit Urbanistik të Bashkisë mori miratimin e anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.

Sipas deputetit demokrat Ardian Turku, ndërhyrja në territorin e bashkisë do të bëhet në rastet kur, autoriteti i pushtetit lokal nuk ka ushtruar kontroll apo edhe kur vendimet e inspektoratit të bashkisë nuk janë ekzekutuar.

Por një tjetër rast, kur ky institucion do të ndërhyjë është edhe kur ka cënime të pasurisë publike.

Përfaqësuesja e ministrisë së Punëve Publike Gentiana Dorezi shprehet se në çdo rast ndërhyhet kur ka ndërtime që nuk janë në përputhje me ligjin dhe ky fakt nuk ka pse të trembë investitorët.

Pak kohë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama i dërgoi një letër kryetares së parlamentit, në të cilën kërkoi që të mos e miratojë këtë ligj, pasi ai cënon hapur kushtetutën. Por me sa duket mazhoranca nuk ka ndërmend të tërhiqet nga zbatimi i kësaj nisme.

r.l/e.r/NOA

KOMENTE