English

Tërhiqen të huajt, Qeveria merr përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës

Tiranë, 3 Shkurt NOA - Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës i cili ka tre dekada që diskutohet nëse do të bëhet dhe që u mor përsipër nga investitorë të huaj për t'u realizuar si vepër, do të realizohet nga qeveria shqiptare pas tërheqjes nga projekti.

Pohimi u bë sot nga Kryeministri Sali Berisha i cili tha se për ndërtimin e këtij hidrocentrali, ideja e të cilit ekziston prej gati 30 vjetësh në vend, u afruan kompanitë ndër më të mëdhatë në Europë në fushën energjetike, por që, për shkak të krizës së thellë financiare botërore, ato të mos i qëndrojnë këtij projekti.

Në këtë kontekst, qeveria, po sheh mundësinë e marrjes përsipër të realizimit të këtij projekti madhor, parimi i të cilit do të jetë përmbytja më e vogël, prodhimi më i madh.

"Ne jemi para dy alternativave. E para është të shkojmë sërish të tender. Por ka edhe një alternativë tjetër, që të jem i sinqertë e ju, më është dukur gjithnjë më mira dhe ajo është që qeveria shqiptare të marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre të mrekullueshme energjetike," u shpreh Kryeministri.

Ai ka shtuar se krahas infrastrukturës rrugore në njërën anë, një projekt gjigant si Skavica, me një kosto minimale gjysmë miliardi euro, nuk ishte i mundshëm, por situata është më premtuese që qeveria të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigante.

Kryeministri tha se Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dhe KESH-i do të përgatisë hapjen e tenderit për projektin dhe realizimi i tij mund të fillojë gjatë këtij mandati dhe do të jetë vepra kryesore publike që ndërtohet në Shqipëri në mandatin tjetër.

"Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e ndërtimit të veprave botërore. Pas rrugëve, Skavica është vepra më e domosdoshme që brenda portofolit tonë mund të ndërtojmë", - tha shefi berisha duke theksuar se "Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e ndërtimit të veprave botërore".

Gjithçka për Skavicën

Kjo ide ka rreth 30 vite që qarkullon në të gjitha kabinetet dhe institucionet energjetike të vendit. Qeveria e mëparshme kishte firmosur një memorandum mirëkuptimi me një nga kompanitë më serioze energjetike të Italisë dhe grupit më serioz financiar.

Qeveria vendosi ta njohë këtë vendim dhe këtë memorandum e shndërroi më vonë në një tender, të cilin e fitoi kompani italiane.

Kompania italiane që ishte një konsorcium pati disa probleme me partnerët.

Ndërkohë edhe mendimi i ekspertëve evoluoi lidhur me përmasat e digës dhe përmasat e liqenit.

Në qoftë se fillimisht ishte parashikuar një liqen gjigand, i cili mbyste jo vetëm luginën e Dibrës, por dilte edhe në territore të tëra në Maqedoni, në Dibrën e Madhe, u mendua që të aplikohen projekte që harmonizojnë maksimumin e prodhimit me minimumin e përmbytjes, sepse përmbytja në vetvete është një faktor shumë i rëndësishëm, një faktor jo i parëndësishëm ekologjik etj..

Ndaj edhe kjo pikëpamje filloi të konsolidohet. Kështu që qeveria zhvilloi negociata me konsorciumin italian, i cili u tregu i arsyeshëm dhe pranoi pikëpamjen tonë dhe këtë kriter.

Por kjo kërkoi që me Skavicën të dilnim për së dyti në treg. Tenderi u hap dhe kompanitë më të mëdha të Europës treguan interesin më të madh.

Kompania italiane që kishte rezistuar, kompania norvegjeze Statkraft, kompania më e madhe në Europë në fushën e hidrocentraleve, kompania e dytë më e madhe energjetike e Gjermanisë RVE dhe kompani të tjera treguan një interes shumë aktiv për këtë hidrocentral.

Por, mesa duket kriza e thellë financiare bëri që këto kompani të mos mund t'i dalin zot ambicieve dhe projekteve të tyre.

Kaskada është një pasuri e madhe dhe Skavica është kurora e kaskadës, nëna e të gjitha digave nën të ndaj specialistët thonë se nuk duhet që të pranojmë që kjo pasuri e madhe natyrore të mos shndërrohet në një vlerë reale për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Projekti, kërkon një kohë minimumi një vit, maksimumi dy vjet. Pasi të bëhen të gjitha përllogaritjet, kostoja, projekti, në pamundësi ekstreme, kryeministri thotë se mund të shihet mundësia e afrimit të aksionerëve të tjerë, por ku qeveria të jetë lider, të udhëheqë e të ketë të gjithë përgjegjësinë e përfundimit të kësaj vepre.

e.r/NOA

KOMENTE