Tiranë, 3 shkurt, NOA - "I bëj thirrje pushtetit vendor dhe politikës që të mos fokusohet vetëm në debatin politik, pasi jeta ka shumë dimensione, siç është edhe ai sportiv".
Me të tilla fjalë, presidenti i Republikës ka përshëndetur ceremoninë e dorëzimit të flamurit përfaqësuesit shqiptar, Erjon Tola, në edicionin e Lojërave Olimpike Dimërore të cilat do të mbahen në Vankuver.
"Ne do të dëshironim që pjesëmarrja e Shqipërisë të ishte më e lartë, kjo edhe për faktin se vendi ynë me ¾ zona malore dhe duhej ta kishte më të zhvilluar sportin e skive", apeloi kreu i shtetit.
Më pas, ai tha se gjithsesi, prania e Erjon Tolës në Vankuver është një moment emocionant për të gjithë e në veçanti për Erjonin, i cili do të ketë në dorë flamurin tonë kombëtar duke u dhënë një mesazh të gjithëve.
"Kjo është një pikënisje dhe duhet të synohet më pas me edukimin e brezit të ri për kurimin e disiplinave të tilla sportive. Ne e kemi të domosdoshëm ta zhvillojmë këtë sport. Dajti përshembull rrethon si kurorë Tiranën, dhe në gjithë ato qafa që mbulohen me dëborë, ne nuk kemi asnjë skiator", tha ndër të tjera presidenti Topi.
n.e/NOA