Durrës, 4 shkurt, NOA - Për shkak të moshës policia e Durrësit ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj dy adoleshentëve autorë të një vjedhje në bashkëpunim.
Sipas policisë së këtij rrethi të dyshuarit me iniciale T.P 17 vjeç, R.L 16 vjeç dhe M.D 23 vjeç me datë 13.01.2010, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një dyqan-kioskë në të cilin kanë marrë karta telefoni, cigare dhe bizhuteri të ndryshme.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia e Durrësit në banesën e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar një pjesë e materialeve të vjedhura në dyqanin-kioskë.
Materialet për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.