Tiranë, 4 Shkurt NOA - Duke u bazuar në një nga politikat e saj sociale për krijimin e lehtësirave për personat me aftësi të kufizuar, bazuar në sloganin "AMC e sheh botën plot me përkujdesje", kompania e parë e telefonisë celulare në botë ka mbështetur shoqatën e invalidëve Para dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë ndaj sot dhuroi karrige me rrota për 22 persona me aftësi të kufizuara të kësaj shoqate.
Në një takimi me anëtarët e shoqatës së Para dhe Teraplegjikëve, z. Nikos Parastatidis, Zëvendës Manaxher Marketingu i AMC, u shpreh se gjatë gjithë këtyre viteve ka patur bashkëpunime të frytshme me shumë institucione dhe shoqata që veprojnë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar.
Kurse duke u fokusuar te ky projekt tha se aiështë njëri prej tyre, i cili synon të përmirësojë jetën dhe lehtësojë integrimin tuaj në komunitet.
"Ne e shohim botën plot përkujdesje dhe kjo fjalë zë një vend të rëndësishëm në programet tona të përgjegjësisë sociale dhe në vlerat që kemi krijuar. AMC do të vazhdojë të kontribuojë për njerëzit në nevojë edhe në të ardhmen", - theksoi z. Parastatidis.Kryetarja e shoqatës së Para dhe Tetraplegjikeve Mylbere Prizreni falënderoi AMC për mbështetjen e vazhdueshme që u ka dhënë personave me aftësi të kufizuar. "Falenderojmë AMC që na është gjendur përsëri pranë. Duke na dhuruar karriget me rrota AMC na ka lehtësuar jo vetëm lëvizjen tonë por edhe integrimin tonë në komunitet", - tha Prizreni.
Karriget me rrota janë të një cilësie të lartë, të lehta dhe me një qëndrueshmëri të madhe, duke ofruar komoditet dhe jetëgjatësi për përdoruesit e tyre.
Dhurimi i këtyre pajisjeve u realizua në bashkëpunim me Shoqatën e invalidëve Para dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë, e cila numëron më tepër se 4 500 anëtarë.
AMC ka ndërmarrë nisma dhe ka realizuar aktivitete të shumta sociale në të kaluarën, duke përfshirë dhurimin e printerit me alfabet Braille për Institutin e të Verbërve "Ramazan Kabashi", mbështetjen e kampionatit të dytë kombëtar për të verbrit, dhurimi i aparatit për matjen e problemeve dëgjimore për maternitetin "Koço Glozheni", projektin "SMS Shprese" ku çdo vit një shumë e konsiderueshme e të ardhurave të SMS të dërguara gjatë natës së vitit të ri shkon në ndihmë të shtresave në nevojë.
r.b/NOA