English

Balli Kombëtar: Të apelohet Kushtetuesja për "Dosjet"

Tiranë, 4 shkurt, NOA - Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, përmes një dekarate për shtyp, pohoi se mbështet kërkesën e mazhorancës për apelimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për hapjen e dosjeve. Alimadhi kërkon më tej nga mazhoranca që të ndërmarrë nisma ligjore për ndëshkimin e krimeve të komunizmit. Duke kërkuar vëmendjen e presidentit në këtë moment të rëndësishëm në prag të mbarimit të mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Alimadhi e ftoi kreun e shtetit që të jetë i kujdesshëm në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj.

"E ftoj mazhorancën të jetë e fortë në përpjekjen e saj demokratike për të zbardhur krimet e komunizmit, të atij regjimi, i cili punoi vetëm për shkatërrimin e moralit të shoqërisë shqiptare. Ne jemi të sigurt se hapja e dosjeve fakton krimet, torturat, pushkatimet e atyre, që dje pushkatuan shqiptarët e pafajshëm dhe sot janë në majat më të larta të drejtësisë shqiptare. Ka ardhur koha për të kërkuar drejtësi njëherë e mirë për ata që në mënyrën më çnjerëzore morën jetën e mijëra shqiptarëve, apo e tjetërsuan atë në një vuajtje gjysëm shekullore nëpër burgjet më të egra të bllokut komunist", tha Alimadhi.

Duke shtuar në fund se Balli Kombëtar kërkon nga mazhoranca të ndërmarrë nisma ligjore për ndëshkimin e krimeve të komunizmit.

"Duhet të hapen dosjet e mbyllura dhe të rishikohen objektivisht të gjitha proceset politike të kaluara, nga gushti i vitit 1943 e në vazhdim, të ndëshkohen dhe të marrin dënimin e merituar të gjithë ata që shkelën ligjet e atëhershme dhe nëpërkëmbën të drejtat elementare të njeriut në hetuesi, gjykatë dhe prokurori. Të bëhet spastrimi i administratës nga individë që cënojnë rëndë imazhin e shoqërisë, të cilët kanë akoma një urrejtje për ish-kulakët, për ish-pronarët, për ish-zogistë, për ish-ballistët, për ish-borgjezët dhe për të gjithë shtresën e të burgosurve politikë", përfundon deklarata e Ballit Kombëtar.

n.e/NOA

KOMENTE
  • Agron Baloku22:38 - 25 Dhjetor 2011
    dosjet jane te nevojshme.sepse nduhet te dihet pese chqipetaret e vran shqiptaret [per hater te rusis