Tiranë, 4 Shkurt. NOA/ Blerina Ahmetaj - Citostatikët, medikamentet bazë për mjekimin e pacientëve me kancer vazhdojnë të mungojnë në spitalin onkologjik në tiranë.
Mjekë dhe pacientë pohojnë se skemës së mjekimit të çdo patologjie të kancerit i mungon vazhdimisht një ose dy barna të cilët pacientët detyrohen t'i blejnë në farmaci me para në dorë, edhe pse kanë një kosto shumë të lartë e të papërballueshme për xhepin e tyre.
Eljana është një prej pacientëve e cila vuan nga linfoma malinje.
Ajo blen çdo 20 ditë me një çmim prej 8 mijë lekësh të reja jashtë spitalit andromicinën, medikamentin kryesor të skemës së mjekimit që ja kanë përcaktuar mjekët.
Por ka dhe pacientë të tjerë që blejnë me para në dorë deri dhe serumet e vigonët pasi ato nuk gjenden në farmacinë e spitalit.
Nga QSUT, thonë se për vitin 2009 buxheti për blerjen e citostatikëve kapi vlerën e 1.7 milionë euro, fond ky shumë i vogël krahasuar me nevojat e spitalit.
E vetmja shifër që mban rekord për blerjen e citostatikëve është buxheti i vitit 2007 ku ish ministri i shëndetësisë Maksim Cikuli i akordoi QSUT një fond prej 4 milionë euro.
b.a/r.b/NOA