Shkodër, 4 shkurt, NOA - Nga besimtarët ortodoksë janë arritur që të mblidhen 6 milionë lekë në formë kontributi për zonat e përmbytura. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale, sipas të cilave ky komunitet fetar iu përgjigj që në çastet e para nevojave të zonave që u goditën nga përmbytjet. "Vetë Kryepeshkopi Anastas, u bëri thirrje besimtarëve të dhuronin sa të kishin mundësi, duke dhënë shembullin e tij personal. Kështu u mblodhën 613 520 mijë lekë të reja, ku vetëm në qytetin e Tiranës u mblodhën rreth 170 mijë lekë", thuhet në njoftimin zyrtar të Kishës Ortodokse Autoqefale mbi një fakt të tillë.
Më tej, sqarohet se në datën 3 shkurt u bë dorëzimi kësaj ndihme, në llogarinë bankare të hapur për këtë qëllim.
"Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni, i shoqëruar nga klerikët atë Aleksandër Petani dhe atë Nikolla Petani, u takuan në Bashkinë e Shkodrës me kryetarin. Lorenc Luka, i cili shprehu admirimin e tij për këtë solidaritet të treguar nga besimtarët orthodoksë, i cili ka një vlerë të madhe", vë në dukje më tej njoftimi.
Kjo në fakt, ishte ndihma e dytë e dhuruar prej Kishës Ortodokse për zonën e përmbytur të Shkodrës brenda një kohe të shkurtër.
Ndihmesa e parë ishte ajo e dhënë që në çastet e para në Shtabin e Emergjencës së këtij qyteti, me 5 ton ndihma, të cilat përmbanin ushqime, veshmbathje, shtresa etj.
n.e/NOA